UBT News

Në Podujevë për herë të parë përurohet Shërbimi i Hemodializës

Podujeva për herë të parë bëhet me Shërbim të Hemodializës, ku në solemnitetin e organizuar me këtë rast, u vlerësua se ky shërbim zgjidh problemin e pacientëve të kësaj ane, të cilët deri më tani për shërbim të hemodializës udhëtonin kryesisht në Prishtinë.

Në këtë ngjarje morën pjesë edhe kryeministri në detyrë Albin Kurti dhe ministri në detyrë i Shëndetësisë Arben Vitia.

Shërbimi i Hemodializës është një procedurë mjekësore që përdoret për të trajtuar pacientët me dështim të veshkave (insuficiencë renale), veçanërisht kur veshkat nuk janë më në gjendje të kryejnë funksionin e tyre normal të pastrimit të gjakut.

Hemodializa është një trajtim që përdor një makinë speciale (dializator) për të pastruar gjakun nga toksinat dhe mbetjet që grumbullohen në trup; larguar lëngjet e tepërta; rregulluar nivelet e elektroliteve si natriumi, kaliumi, kalciumi, etj.

Gjatë seancës, gjaku i pacientit nxirret nga trupi, kalon përmes dializatorit ku pastrohet dhe kthehet sërish në trup.

Exit mobile version