UBT News

Në përpjekje për të përmirësuar raportet SHBA-Kinë, presidenti Biden dhe Xi mbajnë takim virtual

Presidenti Joe Biden hapi takimin e tij virtual me Xi Jinping, presidentin e Kinës, duke thënë se qëllimi i dy liderëve botërorë duhet të jetë të sigurojnë që konkurrenca midis dy superfuqive “të mos kalojë në konflikt”, përcjell UBT News.

Xi e përshëndeti presidentin amerikan si “mikun e tij të vjetër” dhe shtoi se: “Kina dhe Shtetet e Bashkuara duhet të rrisin komunikimin dhe bashkëpunimin”.

Ndonëse të dy udhëheqësit e hapën takimin e tyre me fjalë miqësore, ata po e bëjnë këtë në një kohë kur marrëdhëniet SHBA-Kinë janë të tensionuara.

Biden ka kritikuar Pekinin për abuzimet e të drejtave të njeriut kundër ujgurëve, shtypjen e protestave demokratike në Hong Kong, agresionin ushtarak kundër Tajvanit. Ndërkohë, deputetët e Xi kanë “sulmuar” Biden për ndërhyrje në atë që ata i shohin si çështje të brendshme kineze.

Dy liderët e njohin mirë njëri-tjetrin, pasi kanë udhëtuar së bashku kur të dy ishin nënkryetarë, transmeton UBT News.

“Jam gati të punoj me ju, zoti President, për të krijuar konsensus, për të ndërmarrë hapa aktivë dhe për të përparuar marrëdhëniet Kinë-SHBA në një drejtim pozitiv”, tha Xi.

Presidenti i SHBA-së ishte bashkë me Sekretarin e Shtetit, Antony Blinken, dhe një pjesë të vogël të ndihmësve. Xi, nga ana e tij, shoqërohej nga kryetari i partisë komuniste Ding Xuexiang dhe një numër këshilltarësh.

Zyrtarët kinezë thanë paraprakisht se Tajvani do të ishte çështja e tyre kryesore për bisedimet. Këto tensione janë rritur pasi ushtria kineze ka dërguar një numër të madh avionësh luftarakë pranë ishullit të vetëqeverisur të Tajvanit, të cilin Pekini e konsideron pjesë të territorit të tij.

Forcat ushtarake kineze zhvilluan stërvitje javën e kaluar pranë Tajvanit në përgjigje të një vizite të një delegacioni të Kongresit të SHBA-së në ishull.

“Kina dhe Shtetet e Bashkuara duhet të respektojnë njëra-tjetrën, të bashkëjetojnë në paqe dhe të vazhdojnë bashkëpunimin”, tha Xi në takimin virtual./UBTNews/

Exit mobile version