Atletë dhe sponsorë i kanë dalë në mbështetje yllit të tenisit, Naomi Osaka, pasi u largua nga French Open, për shkaqe shëndetësore.
Japonezja u largua nga turneu i grand slamit të hënën, disa ditë pasi u gjobit dhe u kërcënua me dëbim pasi refuzoi të merrte pjesë në konferenca shtypi, teksa u shpreh se ka nevojë ta mbrojë shëndetin mendor.
Mesazhe mbështetjeje vërshuan në drejtim të tenistes Osaka, e cila përmes një shkrimi në Twitter foli rreth përballjes së saj me shëndetin mendor që nga fitorja e parë në grand slam, një fitore ndaj Serena Williams në US Open 2018.
“Gjëja e parë që duhet të kemi parasysh është shëndeti i tenistes Osaka. I uroj shërim sa më të shpejtë”, tha Toshihisa Tsuchihashi, drejtori ekzekutiv i Shoqatës së Tenisit në Japoni.
Gjiganti i veshjeve sportive – Nike, që nënshkroi një marrëveshje me tenisten Osaka në vitin 2019, e ka duartrokitur atleten e cila foli hapur për ballafaqimin me depresionin.
Zëdhënësi i qeverisë japoneze, Katsunobu Kato, tha se “do ta vëzhgonte atë në heshtje”.
Në mesin e lojtarëve japonezë kishte të atillë që siç duket nuk po iu pëlqen ky vendim i tenistes. Misaki Doi thotë se ishte e “befasuar” me vendimin e tenistes Osaka.
“Nuk mund ta imagjinojë çfarë po përjeton ajo, por shpresoj se do të heqë dorë nga ky vendim”, deklaroi Doi./UBTNews