UBT News

Në Malishevë, dyshohet se burri vrau gruan

Detaje të reja kanë dalë në dritë lidhur me ngjarjen e rëndë në fshatin Kërvasari të Malishevës, ku mbeti e vdekur një grua shtatzënë. Prokuroria Themelore në Gjakovë ka njoftuar se i dyshuari për aktin është vetë bashkëshorti i viktimës, i cili po ashtu ka pësuar plagë të rënda nga arma e zjarrit.

Sipas njoftimit zyrtar të Prokurorisë, i dyshuari është dërguar për trajtim mjekësor në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), ku mjekët bëjnë me dije se ai ndodhet në gjendje të rëndë dhe kritike për jetën.

Prokurori i Shtetit ka dalë në vendngjarje dhe me urdhër të tij, trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML) në Prishtinë për autopsi.

Rasti nga organet e drejtësisë po hetohet nën dyshimin për veprat penale “Vrasje e rëndë” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Prokuroria Themelore në Gjakovë, në koordinim me Policinë e Kosovës, bëri të ditur se po ndërmerr të gjitha veprimet e nevojshme hetimore për ndriçimin e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje dhe grumbullimin e provave relevante. /E.A/

Exit mobile version