Filmi “Në kërkim të Venerës” është triumfues i dyfishtë në festivalin më të famshëm për arthouse në Azi, në festivalin ndërkombëtar të Hong Kong-ut.
“Në kërkim të Venerës”, me regji dhe skenar nga Norika Sefa, ka fituar çmimin regjisorja më e mirë (Golden Firebird Award), dhe aktorja më e mirë (Best Actress International) për rolin kryesor të intepretuar nga Kosovare Krasniqi.
“Në momentin që e pranova lajmin për çmimet, më është dashur pak kohë të mendoj për shumë gjëra të cilat na erdhën në rrugë e sipër, u bëmë pjesë e këtij filmi dhe vendime që u bënë pjesë e këtij momenti kur une tani po e pranoj çmimin si regjisorja më e mirë në mes të regjisoreve e filmave të mrekullueshëm. Kjo më jep vetëbesim për stilin që kam dhe më motivon për punë të mëtutjeshm” u shpreh regjisorja Norika Sefa.
Edhe aktorja Krasniqi u shpreh e lumtur pas triumfit të dyfishtë në festivalin e Hong Kong-ut.
“Falenderoj shumë regjisoren dhe producentin e filmit që e kane besuar për këtë vepër dhe që më prezantuan me botën e filmit, rrjedhimisht më njoftuan me audiencen e botës.” u shpreh aktorja Kosovare Krasniqi.
Kurse producenti Besnik Krapi thotë se mundi dhe përkushtimi u shpërblyen, dhe beson shumë se ky film do të shpërblehet edhe me çmime tjera.
“Unë veç di dhe dua të duartrokas për çdo çmim tjetër që do të na vijë. Kemi besuar shumë në Venerën dhe vazhdojmë të besojmë njejtë sepse kemi dhanë shumë përkushtim e dashni në të”. u shpreh producenti Besnik Krapi.
“Në kërkim të Venerës” është i mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës dhe Agjencia për Film e Maqedonisë së Veriut me producent Besnik Krapin i prodhuar nga Circle Pruduction dhe me bashkëproducent Igor Popovskin dhe Gazmend Nelën./UBTNews