UBT News

Në Gjilan hapet ekspozita “Ne jemi pranvera”, dedikuar grave të dëshmorëve

Me ekspozitën “Ne jemi pranvera”, realizuar nga nxënësit e shkollës së artit pamor dhe këngë e instrumentale, komuna e Gjilanit ka shënuar Ditën Ndërkombëtare të Gruas, dedikuar në veçanti grave të dëshmorëve, të cilat ishin prezente aty.

Nënkryetari i komunës, Arbër Ismajli, i cili e shpalli të hapur këtë ekspozitë, ka vlerësuar lartë rolin e grave të dëshmorëve, duke thënë se ato janë heroinat e kombit.

“Kur i shohim gratë dhe nënat e dëshmorëve, këto heroina të kombit neve na japin vullnet për me punu më mirë dhe më drejtë. Ju uroj 8 marsin grave të dëshmorëve dhe të gjitha nënave tona. Zoti ju dhashtë shëndet, të mira dhe begati në familjet tuaja. Faleminderit nxënësve të shkollës së artit pamor për këtë ekspozitë fantastike”, ka thënë Ismajli.

Në këtë ngjarje ka folur edhe kryetari i Shoqatës së Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve në Gjilan, Rashit Ymeri, i cili e falënderoi komunën e Gjilanit për organizimin e dhjetëra aktiviteteve kulturore për nder të sakrificës së dëshmorëve dhe të familjeve të tyre.

Ndërkaq, drejtoresha e Drejtorisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Deniza Limani, tha se komuna do të organizojë gjithmonë aktivitete të tilla në nderim të grave e nënave të dëshmorëve dhe të gjitha grave të Gjilanit.

Në fund është shfaqur një program artistik me këngë e instrumentale.

Exit mobile version