Xhudistja kosovare me famë botërore, Majlinda Kelmendi, sot edhe zyrtarisht do te largohet nga të gjitha aktivitetet sportive si xhudiste dhe do t’iu përkushtohet punës si trajnere e gjeneratave të reja së bashku me trajnerin Driton Kuka.
Për pensionimin e Majlindës sot do të organizohet një ceremoni shtetërore nën organizimin e presidentes Vjosa Osmani duke filluar nga ora 18:00.
Largimin e saj nga garat Majlinda e kishte paralajmëruar që në fillimit të këtij vitit, kur në muajin shkurt kishte deklaruar për KosovaPress se nivelet në të cilat garon ajo kërkohet motiv i madh dhe se nuk është e lehtë të ushtrosh dhe të vazhdosh të garosh kur I ke fituar të gjithë titujt e mundshme.
“Jo, do të shohim pas Lojërave Olimpike, ta shohim si po shkon. Sigurisht se pas Lojërave Olimpike do ta kem një pushim ndoshta pak më të gjatë, pushim prej garave po flas, pastaj të shoh se si po ndihem. Në këtë nivelin ku gjendem duhet të jetë motivi shumë i madh, nuk është e lehtë të ushtrosh dhe të vazhdosh të garosh kur i ke të gjithë titujt, kur ke arritur gjithçka çfarë mundet një sportist të arrijë në sport, kështu që të shohim disponimin pas Lojërave Olimpike”, kishte thënë Kelmendi.
Ajo gjithashtu kishte thënë se e sheh veten si trajnere të xhudos, pasi t’i jap fund karrierës së bujshme të saj dhe se një gjë të tillë tashmë veçse ka filluar ta bëjë.
“Sigurisht që po, realisht është diçka çfarë e bëjë me shumë kënaqësi, më pëlqen shumë ta demonstroj, ta tregoj atë çfarë unë e bëjë më së miri, kështu që po mendoj që do të isha një asistente e mirë e Tonit. Nuk mundem të them që një trajnere e mirë, është krejt tjetër të jesh sportist i mirë, e krejt diçka tjetër të jesh trajner i mirë, kështu që po mendoj që do të kisha pasur mundësi me qenë një asistente e mirë për trajner”, kishte thënë Kelmendi.
Ndryshe, Majlinda Kelmendi gjatë karrierës së saj i ka dhënë Kosovës tetë medalje të Arta në gara të ndryshme, ndërsa kulmin e kishte arritur në vitin 2013, kur ishte shpallur Kampione e Botës në Rio de Janeiro.