Largimi i këtyre shtyllave elektrike të tensionit të mesëm në qytetin e Ferizajt të cilat tashmë janë jashtë funksionit pas vendosjes së rrjetit nëntokësor, përveç që po rrit sigurinë në furnizim e në komunitet, po i jep edhe një pamje shumë më të bukur qytetit që ditëve të fundit ka pësuar një transformim përmes projektit të “Bashkimit të Qytetit”.
Në këtë komunë, Kompania Kosovare për Distribuim të Energjisë Elektrike në Kosovë (KEDS) po investon afër 4 milionë euro, për vendosjen e rrjetit nëntokësor të linjave të tensionit të mesëm.
Janë rreth 50 kilometra të rrjetit elektrik që tashmë janë vendosur nëntokë, derisa i gjithë projekti do të përmbyllet shumë shpejt.
Zyrtari për Komunikim në KEDS, Adlum Ramadani, potencoi se ky investim që po bëhet në Komunën e Ferizajt është ndër më të rëndësishmit në fushën e energjisë elektrike.
“Bëhet fjalë për një ndër projektet më të rëndësishme sa i përket fushës së energjisë elektrike në Komunën e Ferizajt. Këtu KEDS është duke realizuar një projekt investiv në vlerë prej afro 4 milionë eurosh, ku parashihet vendosja e rrjetit nëntokësor të linjave të tensionit të mesëm me një distancë prej rreth 50 kilometra”, theksoi ai.
Ramadani tha se në Komunën e Ferizajt kanë trashëguar një rrjet në gjendje jo të mirë dhe se KEDS është vënë në veprim për të larguar qindra shtylla dhe eliminuar kabllot të cilat qëndronin varur në këtë qytet.
Largimin e shtyllave elektrike e vendosjen e rrjetit nëntokësor e kanë mirëpritur qytetarët e kësaj komune, të cilët e cilësojnë një si një investim që ka përmirësuar sigurinë e tyre.
KEDS gjithandej vendit është duke realizuar investime për shtrirjen e rrjetit nëntokësor, duke iu dhënë qendrave të qytetit një pamje shumë më të mirë.