UN-Habitat Kosova shënoi Ditën Botërore të Habitateve me aktivitetin “Përshpejtimi i veprimit urban për një botë pa karbon“. Në Ditën Botërore të Habitateve u bë thirrje që të shtyhet përpara agjenda e gjelbër dhe të punohet drejt një bote pa karbon.
Të pranishëm në këtë ceremoni ishin presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, shefi i Qeverisë, Albin Kurti, ministri Liburn Aliu, presidenti i UBT-së, profesor Edmond Hajrizi, si dhe deputetë e përfaqësues organizatash.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani tha se është koha e fundit që edhe Kosova të veprojë drejt një bote të çliruar nga karboni. Osmani deklaroi se institucionet e Kosovës e kanë të qartë pse duhet punuar për një të ardhme pa karbon.
E para e shtetit bëri thirrje që Kosovës t’i hapet rruga për anëtarësim në Kombet e Bashkuara.
“Kosova duhet ta ketë vendin e saj në tavolinë dhe ta ketë zërin e saj në COP26, në mënyrë që edhe ne të dëgjohemi. Nuk është që ndryshimet klimatike i prekin vetëm shtetet anëtare të Kombeve të Bashkuara. Nuk mund ta izoloni Kosovën më, e në anën tjetër të kërkohen po të njëjtat kërkesa e përqindje si për shtetet anëtare të Kombeve të Bashkuara. Erdhi koha që edhe zëri ynë të dëgjohet sepse pavarësisht sa vend i vogël jemi, edhe ne mund të kontribuojmë në atë që u quajt si përgjegjësi kolektive për ta mbrojtur planetin tonë”, deklaroi Osmani.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në Ditën Botërore të Habitateve, ka thënë se është shumë e domosdoshme që të merren hapa konkret për të reduktuar nivelin e lartë të ndotjes së ajrit që mbizotëron në qytetet e Kosovës.
Në fjalimin e tij, në ngjarjen e organizuar nga UN Habitat, vëmendje e veçantë iu kushtua qyteteve dhe kapaciteteve që kanë ato në reduktimin e nivelit të emetimeve të karbonit, ndërsa prodhimi i energjisë, transporti dhe ngrohja individuale u theksuan si kontribuuesit më të mëdhenj në emetimin e gazrave.
Omar Siddique, shef i Zyrës dhe këshilltar kryesor teknik në UN-Habitat Kosovë, theksoi se ndikimet e ndotjes së ajrit bien gjithmonë ndaj njerëzve, ku mbi 700 njerëz çdo vit vdesin në Kosovë si pasojë e ndotjes së ajrit. Ai theksoi se pasojat e ndotjes paraqesin rrezikshmëri të lartë edhe në sektorin e ushqimit dhe krijojnë pasiguri ekonomike./UBTNews