Ministria e Punëve të Brendshme njofton të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës se nga data 12 tetor do të nisë zbatimi i Sistemit të Hyrje/Daljes (Entry/Exit System-EES), në disa pika kufitare kryesore të Bashkimit Evropian.
Sipas MPB-ë, gjatë gjashtë muajve të ardhshëm, ky sistem do të nisë së zbatuari gradualisht në të gjitha pikat kufitare të BE-së.
“EES, është një sistem biometrik i cili regjistron hyrjet dhe daljet e shtetasve të vendeve jo-anëtare të BE-së, duke mbledhur të dhëna si shenjat e gishtërinjve dhe fotografi. Ky sistem synon përshpejtimin e kontrolleve kufitare dhe eliminimin e vulave në pasaportë. Ministria e Punëve të Brendshme e Republikës së Kosovës do të vazhdojë të monitorojë dhe informojë qytetarët për zhvillimet e mëtejshme lidhur me këtë proces”, thuhet në njoftim.
Përndryshe, nga 1 janar 2024, qytetarët e Kosovës kanë udhëtuar pa viza drejt 27 vendeve të zonës Schengen të Bashkimit Evropian. Koha e qëndrimit është e mundur për 90 ditë në çdo periudhë 180 ditore brenda Shengen./S.K/KP/Frontex/