UBT News

Ndryshojnë çmimet në transportin publik në Prishtinë: Biletat digjitale dhe ato me SMS do të jenë më të lira

Nga sot, 1 korrik 2026, në kryeqytet hyjnë në fuqi çmimet e reja të biletave për transportin publik. Komuna e Prishtinës ka njoftuar se ky ndryshim vjen në kuadër të zgjerimit të procesit të digjitalizimit të këtij shërbimi, duke stimuluar qytetarët që të shfrytëzojnë metodat e reja të pagesës.

Sipas njoftimit zyrtar, të gjithë ata që vendosin t’i blejnë biletat përmes kuletës digjitale apo me SMS përmes operatorëve të telefonisë mobile, do të përfitojnë çmime më të ulëta krahasuar me biletat e rregullta fizike.

Ky rregullim i ri tarifor do të përfshijë pothuajse të gjitha kategoritë e udhëtimit: biletat njëdrejtimëshe, ato ditore, javore dhe mujore. Ndryshime të çmimit do të ketë edhe për linjën e Aeroportit, si dhe për biletat vjetore dhe ato korporative që lëshohen në format digjital.

“Digjitalizimi i transportit publik vazhdon të zgjerohet. Nga 1 korriku 2026 hyjnë në fuqi çmimet e reja të biletave të transportit publik. Biletat e blera përmes kuletës digjitale ose SMS-së, përmes operatorëve të telefonisë mobile, do të kenë çmime më të ulëta krahasuar me biletat fizike”, thuhet ndër tjerash në njoftimin e Komunës së Prishtinës.

Për t’u njoftuar me tarifat e sakta për secilën kategori, Komuna ka bërë të ditur se vendimi i plotë me listën e detajuar të çmimeve tashmë është publikuar dhe është i qasshëm për të gjithë qytetarët. /E.A/

Exit mobile version