Londra zyrtare po dëshmon një ndryshim jashtëzakonisht të shpejtë të pushtetit, ku dy zhvillime kryesore kanë përcaktuar pothuajse plotësisht emrin e kryeministrit të ri të Britanisë së Madhe, pas dorëheqjes së Keir Starmerit.
Përveç se Starmer prezantoi kalendarin e largimit të tij, rivali kryesor i Andy Burnhamit, Wes Streeting, u tërhoq nga gara dhe dha mbështetjen e tij për ish-kryebashkiakun e Manchesterit. Ky hap rrit gjasat që Burnham të marrë drejtimin e ekzekutivik brenda një kohe shumë të shkurtër, duke u bërë kështu kryeministri i pestë i vendit në katër vitet e fundit.
Fotografitë e Burnhamit, si deputet i ri i zonës Makerfield, i rrethuar nga qindra deputetë laburistë, po qarkullojnë krahas imazheve emocionale të largimit të Starmerit, duke pasqyruar tranzicionin e menjëhershëm. Në këtë ngjarje u vu re edhe prania e sekretares së Financave, Rachel Reeves, e cila nuk ishte parë më herët gjatë fjalimit të dorëheqjes së Starmerit. Ndonëse mbajtja e Reeves në postin e financave mund të ndihmojë në stabilitetin e tregjeve, burime brenda partisë bëjnë me dije se ajo ka gjasa të zëvendësohet për shkak të lidhjeve të ngushta me kabinetin e kaluar, ndërsa si pasardhës i mundshëm përflitet vetë Streeting.
Megjithatë, ky proces ka nxitur edhe shqetësime brenda Partisë Laburiste. Disa zyrtarë shprehin rezerva për faktin se një politikan që nuk ishte fare kandidat në zgjedhjet e fundit të përgjithshme, dhe që u zgjodh deputet vetëm javën e kaluar, mund të bëhet kryeministër muajin e ardhshëm. Ndërkaq, kritikët brenda qeverisë kujtojnë se Burnham ka garuar dy herë më parë për udhëheqjen e partisë dhe ka humbur përballë Ed Milibandit dhe Jeremy Corbynit. /BBC/ /E.A/
