Ndryshimet dhe kushtet më të mira në Klinikën e Gjinekologjisë në QKUK tanimë janë të dukshme. Kjo pas investimit në katër reparte në këtë klinikë, ku nuk do të mungojnë as shërbime të reja, të cilat do të shërbehen për herë të parë në institucionet publike në Kosovë.
Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia ka thënë se në repartin e lehonave nga dhjetë shtretër që kanë qenë dikur, tani e tutje në dhomë do të jenë vetëm dy shtretër me një banjë.
Vitia ka theksuar se do të transformohen rrënjësisht edhe ambulantet specialistike, ku zakonisht në to ka pasur kaos nga gratë kur kanë ardhur për kontroll gjinekologjike.
“Do të jenë katër reparte në Klinikën e Gjinekologjisë,,,00:17 në të cilat do të ketë transformim rrënjësorë. E para do të jetë reparti i lehonave, ku nga ato dhomat e mëdha me tetë-10 shtretër, tani e tutje secila dhomë do të ketë vetëm dy shtretër dhe banjën e tyre brenda këtyre dhomave. Do të transformohen rrënjësisht, ambulantet specialistike, ku ka pasur zakonisht një kaos nga gratë dhe vajzat kur kanë ardhur për kontroll gjinekologjike, dhe tani e tutje për shkak edhe të infrastrukturës që është investuar aty, edhe për shkak të patient floë që kemi bërë nuk do të ketë më probleme të kësaj natyre”, ka thënë Vitia.
Vitia ka shtuar se gratë nuk do të kenë më nevojë që të dalin jashtë shtetit apo të kontrollohen në sektorin privatë, sepse në Klinikën e Gjinekologjisë do të bëhet shërbimi i IVF, amniocentezës dhe mjekësisë fetale, të cilat do të kryhen për herë të parë në institucionet publike të Kosovës.
“Kemi punuar në tre drejtime, shërbimi i parë IVF i cili tani më ka kaluar të gjitha procedurat dhe vetëm po presim që të vinë aparaturat, për këtë shërbim që të kryhet edhe në institucionet publike për herë të parë në Republikën e Kosovës, amniocenteza një metodë diagnostikuese shumë e rëndësishme, e cila nuk është kryer më herët në institucionet shëndetësore publike por vetëm në ato private dhe mjekësia fetale e cila është një njësi jashtëzakonisht e rëndësishme për detektimin e hershëm, çoftë të anomalive problemeve të tjera me frytin gjatë kohës së shtatzënisë. Bashkë me transformimin rrënjësorë dhe kushtet e mira për pacientët në Klinikën e Gjinekologjisë, ky vit do të na gjejë edhe me tre shërbime të reja që gratë dhe vajzat tona për shkak të mungesës së këtyre shërbimeve në sektorin publik janë detyruar t’i marrin këto shërbime ose në sektorin privat ose jashtë vendit”, ka shtuar ai.
I gjithë ky investim i ka kushtuar Ministrisë së Shëndetësisë rreth pesë milionë euro, dy milionë vetëm në pjesën infrastrukturore, mbi një milion pajisjet për IVF dhe të tjerat.
Ministri Vitia ka theksuar se ka pasur edhe donacion nga një organizatë përmes ambasadës greke.
“I gjithë investimi në pjesën e gjinekologjisë vetëm sa i përket pjesës infrastrukturore është mbi dy milionë, mirëpo aty ka edhe investime të tjera, rreth mbi një milionë e gjysmë pajisjet për IVF-in, ka pajisje për mjekësinë fetale, kemi pasur edhe donacion një pjesë nga një organizatë që na ka ndihmuar shumë përmes ambasadës greke në këtë njësi, por janë diku rreth pesë milionë ndoshta edhe më shumë investime në total”, ka theksuar Vitia.
Për herë të fundit në vitin 2003 në Klinikën e Gjinekologjisë është rinovuar salla e lindjes.