Hamish McRae
Humbja e pasurisë nga cilido që investoi në firmat e mëdha amerikane të teknologjisë vitin e kaluar është tronditëse. Më i famshmi, Elon Musk, i Tesla-s dhe tani i famshëm edhe në Twitter, arriti të humbasë 200 miliardë dollarë. Megjithatë, ai vlen ende rreth 137 miliardë dollarë, kështu që ndoshta nuk duhet të na vijë keq për të.
Por humbjet shtrihen në të gjithë SHBA-në. Apple kishte vlerë 3 trilion dollarë në fillim të vitit të kaluar. Tani ajo vlen 2 trilion dollarë – ende shumë, por një shkatërrim i madh i pasurisë për aksionerët e saj, të mëdhenj e të vegjël.
Jeff Bezos, themeluesi i Amazon, ka humbur gati gjysmën e pasurisë së tij pasi vlera e aksioneve që ai zotëron në Amazon është ulur më shumë se 50 për qind nga kulmi i saj në fund të vitit 2021. Pjesa e tij tani vlen “vetëm” 109 miliardë dollarë. Mark Zuckerberg, themeluesi i Facebook, është ulur nga 127 miliardë dollarë në 47 miliardë dollarë, pasi vlera e aksioneve të Meta-s ra me gati dy të tretat në vitin 2022.
Për këdo që është i interesuar, Bloomberg mban një listë të përditshme të pasurisë së miliarderëve. Meqë ra fjala, në krye të ligës me 164 miliardë dollarë është Bernard Arnault, kreu i grupit luksoz francez LVMH.
Kjo humbje e jashtëzakonshme e pasurisë ngre një pyetje të madhe: a ishte e vërtetë ajo pasuri, që në krye të herës? Musk, Zuckerberg dhe të tjerët u bënë kaq të pasur vetëm për shkak të vlerës së aksioneve të kompanive që ata krijuan, dhe ato vlera u frynë nga një kombinim i parave të kollajta dhe pritshmërive të ekzagjeruara, të perspektivave për Amerikën e Big Tech, pas pandemisë.
Kthehuni me mendje një vit mbrapa, dhe rimëkëmbja nga pandemia dukej e sigurt, inflacioni ishte një re e vockël në horizont që bankierët qendrorë mendonin se do të kalonte, dhe Rusia nuk e kishte pushtuar ende Ukrainën.
Por në botën aktuale të mbushur me pasiguri, tregjet financiare mendojnë qartë se mallrat e luksit përfaqësojnë një bast më të sigurt se teknologjia e madhe. Por kush e di? Ndoshta pas disa vitesh ata do të kenë ndryshuar sërish mendje dhe një industri krejtësisht e ndryshme do të jetë bërë investimi i duhur, duke krijuar një grup të ri miliarderësh.
E gjithë kjo ka rëndësi për ne të tjerët për tre arsye.
Së pari, edhe nëse tani mund ta shohim si diçka që ishte kalimtare, me të vërtetë është shkatërruar shumë pasuri. Familja mesatare britanike vlente 302,500 £ në mars 2020, nga shifrat më të fundit që disponon Zyra për Statistikat Kombëtare.
Dy komponentët më të mëdhenj të kësaj janë pasuria e pensioneve dhe strehimi. Që atëherë, çmimet e banesave janë rritur me të paktën 20 për qind, kështu që familja mesatare pothuajse me siguri do të vlejë më shumë tani. Por tani duket se çmimet e banesave po bien dhe, duke qenë se pasuria e pensioneve ndikohet nga tregjet financiare, kjo mund të jetë gjithashtu në rënie.
Kështu, ndërsa familja tipike britanike (ose irlandeze, amerikane, gjermane, franceze apo çfarëdo tjetër) do të jetë akoma më e pasur se sa ishte disa vite më parë, ka shumë të ngjarë që këtë vit ato të humbasin terren, pasi efekti këtyre rënieve të tregut amerikan përhapet në të gjithë botën e zhvilluar. Shto inflacionin dhe ne mund të jemi tashmë 10 për qind në terma realë.
Mendojeni në këtë mënyrë. Vështirë se ndonjë prej nesh kemi humbur proporcionalisht po aq sa Elon Musk ose Mark Zuckerberg, sepse do të duhet të jesh shumë i pafat ose i pamatur që kjo të ndodhë. Por pothuajse të gjithë ne do të jemi pak më të varfër se një vit më parë. Një pjesë e pasurisë sonë është shkatërruar gjithashtu.
Kjo çon në arsyen e dytë pse kjo ka rëndësi: ndikimi i rënies së çmimeve të aktiveve në ekonomi. Kur njerëzit ndihen më të varfër, ata shpenzojnë më pak para. Kjo është diçka që mund të fillojë të ndodhë, megjithëse ky i ashtuquajtur “efekt pasurie” është i vështirë të ndahet nga të gjitha gjërat e tjera që ndikojnë në shpenzimet tona, siç është rritja e çmimeve të energjisë.
Për shembull, një ndikim i drejtpërdrejtë është nëpërmjet tregut të banesave. Kur njerëzit lëvizin në shtëpi, ata priren të shpenzojnë më shumë për gjëra për të vendosur në të, të tilla si pajisjet e reja të kuzhinës.
Sipas statistikave zyrtare, shifrat e shitjeve të shtëpive nuk kanë rënë ende. Kjo është një qetësi para stuhisë.
Nëse njerëzit ndihen më të varfër dhe shpenzojnë më pak para, kjo e dëshpëron ekonominë në tërësi dhe mediat janë mbushur me raporte mbi recesionin.
Drejtoresha menaxhuese e Fondit Monetar Ndërkombëtar, Kristalina Georgieva, sapo ka paralajmëruar në një intervistë për CNN se një e treta e botës do të jetë në recesion këtë vit. Rënia e çmimeve të aseteve nuk është arsyeja e vetme pse pjesa më e madhe e botës do të futet në recesion, por sigurisht që lidhet me të.
Së fundi, arsyeja e tretë pse kjo ka rëndësi për të gjithë ne, është se ka një rreze drite. Një ekonomi botërore e fryrë nga bankat qendrore që shtypnin shuma të mëdha parash dhe me norma interesi zero ose gati zero, do të përfundonte gjithmonë keq. Kësaj radhe,
janë më të pasurit që kanë humbur më shumë. Ne po fillojmë të kthehemi prapa drejt një bote, ku njerëzit që krijojnë kompani të mëdha shpërblehen mirë, por jo në mënyrë absurde.
Të gjitha flluskat e aktiveve nërfundimisht ekspozohen. Ky ka qenë mësimi i muajve të fundit. Ne do të rikthehemi tek rritja ekonomike e qëndrueshme, pasi të kemi bërë një rrugë të gjatë dhe ndoshta të dhimbshme të rikthimit tek investimet e arsyeshme. / Opinion – Bota.al