Sigal Prishtina e nis sot rrugëtimin e saj në sezonin e ri të European North Basketball League (ENBL).
Bardhekaltrit do të përballen me ekipin norvegjez BC Gimle në ndeshjen e parë të këtij edicioni, e cila zhvillohet në Pallatin e Rinisë dhe Sportit në Prishtinë, me fillim nga ora 19:00.
Për Prishtinën kjo do të jetë herë e dytë që merr pjesë në këtë ligë evropiane, ku synimi është të shkojë sa më larg në garë.
Skuadra nga kryeqyteti do të luajë gjithsej tetë ndeshje në fazën e grupeve, katër si vendas dhe katër si mysafirë.
Në këtë edicion të ENBL-së, për herë të parë do të garojë edhe skuadra tjetër kosovare, KB Peja, çka e bën pjesëmarrjen kosovare edhe më domethënëse në arenën ndërkombëtare.
Kundërshtarët e Prishtinës në këtë sezon janë:
BK Opava (Çeki), BC Gimle (Norvegji), Brussels Basketball (Belgjikë), Slovan Bratislava (Sllovaki), Tindastoll Saudarkrokur (Islandë), Keila Coolbet (Estoni), Manchester Basketball (Britani e Madhe), KK Dinamo Zagreb (Kroaci)
Prishtina kërkon të nisë me fitore para tifozëve të saj dhe të hedhë hapin e parë drejt kualifikimit në fazat e mëtejshme të garës./S.K/KP/