Pjesa e parë e sfidës mes Ballkanit dhe FC Florianës në raundin e dytë të UEFA Conference League ka qenë një festival i vërtetë golash, me plot pesë realizime të shënuara në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.
Ishin mysafirët nga Malta që e hapën serinë e golave. Në minutën e 8-të, Grech zhbllokoi rezultatin dhe kaloi Florianën në epërsi. Ballkani reagoi shpejt dhe barazoi në minutën e 13-të me golin e sulmuesit Arbër Tolaj.
Por miqtë rikthyen epërsinë në minutën e 25-të me golin e Jah, duke e çuar rezultatin në 1-2. Megjithatë, gëzimi i Florianës zgjati vetëm tri minuta, pasi në minutën e 28-të, Adetunji shënoi për 2-2 dhe riktheu ekuilibrin.
Epërsia erdhi për herë të parë për suharekasit në minutën e 32-të, kur Arbër Tolaj realizoi golin e dytë personal dhe të tretin për Ballkanin, duke përmbysur gjithçka në vetëm pak minuta.
Përballja mbetet e hapur dhe interesante, ndërsa 45 minutat e dyta pritet të përcaktojnë fatin e kësaj ndeshjeje emocionuese në kuadër të Ligës së Konferencës.