Shkrimtarja e njohur britanike, Dame Jilly Cooper, ka ndërruar jetë në moshën 88-vjeçare pas një rrëzimi, konfirmuan familja dhe botuesi i saj.
Cooper ishte e famshme për romanet sensuale që portretizonin jetën dhe skandalet e klasës së pasur rurale dhe kishte shitur mbi 11 milion kopje të veprave të saj vetëm në Mbretërinë e Bashkuar.
Fëmijët e saj, Felix dhe Emily, thanë: “Nëna jonë ishte një dritë e shndritshme në jetët tona. Dashuria e saj për familjen dhe miqtë nuk kishte kufij. Humbja e saj është një tronditje e madhe. Jemi krenarë për gjithçka që arriti dhe nuk mund ta imagjinojmë jetën pa buzëqeshjen dhe të qeshurat e saj të çiltër.”
E njohur si “Mbretëresha e bonkbuster-ave”, Jilly Cooper publikoi librin e saj të parë, How To Stay Married më 1969, të ndjekur nga How to Survive From Nine To Five një vit më vonë. Romani më i famshëm, Riders është pjesë e serisë Rutshire Chronicles, përfshin dhjetë vepra.
Aktori Rufus Jones, i cili luan në serialin televiziv Rivals bazuar në librin e saj, i bëri homazh Cooper në Instagram: “Jilly ishte një grua e jashtëzakonshme – e qeshur, e çuditshme dhe e mirë. Patëm fatin ta takonim dhe të mësojmë nga tregimet e saj të paharrueshme.”
Agjentja e saj, Felicity Blunt, e përshkroi bashkëpunimin me Cooper si privilegj: “Ajo ka lënë gjurmë në kulturën letrare e në mënyrën e të shkruarit që nga publikimi mbi pesëdhjetë vjet më parë. Do të mbahet mend për serinë Rutshire Chronicles dhe për personazhin Rupert Campbell-Black, por mbi të gjitha për mënyrën e saj të veçantë të të treguarit për klasën, dashurinë, rivalitetin dhe humorin e mprehtë.”
Karriera e Cooper ishte e gjatë dhe e larmishme; ajo filloi si gazetare në vitet 1957-1959, më pas u bë kolumniste për tema si martesa, seksi dhe jeta e përditshme, para se të kalonte tek librat e saj të suksesshëm. Ajo gjithashtu kontribuoi si producent ekzekutiv në adaptimin e librit të saj Rivals për Disney+, duke ndihmuar në skenar dhe regjizim.
Përndryshe, Jilly Cooper do të mbahet mend si një shkrimtare energjike, me humor dhe me një talent të jashtëzakonshëm për të sjellë gëzim tek lexuesit dhe të gjithë ata që punuan me të. /A.Z/UBT News/