UBT News

Ndërron jetë akademik Minir Dushi, anëtar i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës

Ka ndërruar jetë akademik Minir Dushi, anëtar i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës. Lajmin për ndarjen nga jeta të akademik Dushit e kanë bërë të ditur familjarët e tij, duke shpërndarë gjithashtu detajet e agjendës së funeralit.

Të martën, më 30 janar 2025, do të mbahet ekspozea e arkivolit për homazhe në Shtëpinë e Kulturës “Rexhep Mitrovica” në Mitrovicë, nga ora 12:00 deri në 14:00.

Të mërkurën, më 31 janar 2025, homazhet dhe mbledhja komemorative do të zhvillohen në Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, nga ora 10:00 deri në 11:00. Nisja e kortezhit për në Gjakovë është parashikuar për në orën 12:00.

Në Gjakovë, në Shtëpinë e Kulturës “Asim Vokshi”, do të mbahet një mbledhje komemorative prej orës 14:00 deri në 15:00, ndërsa homazhet dhe ceremonia e varrimit do të zhvillohen në varrezat e qytetit të Gjakovës, nga ora 15:00 deri në 16:00.

Akademik Minir Dushi lindi në Gjakovë në vitin 1929 dhe ka qenë një figurë e shquar në fushën e shkencës dhe arsimit. Shkollën fillore e kreu në Gjakovë, ndërsa më vonë e vazhdoi shkollimin në Nish dhe Beograd, ku diplomoi në Fakultetin e Xehetarisë në vitin 1958 dhe doktoroi në vitin 1965. Gjatë karrierës së tij të pasur, ai ka ushtruar funksione udhëheqëse në institucione të ndryshme shkencore dhe mësimore, si dhe ka kontribuar në zhvillimin e shkencës në fushën e xehetarisë dhe metalurgjisë.

Pas fakultetit punoi një kohë në horizontet e minierës së Trepçës, teksa më pas ushtroi funksione të ndryshme udhëheqëse në këtë kombinat. Njëkohësisht ishte njëri nga themeluesit dhe drejtues i disa institucioneve mësimore dhe shkencore të Kosovës, siç ishin Shkolla e Lartë Teknike në Mitrovicë (1961-1966), Instituti i Plumbit dhe i Zinkut i Kombinatit “Trepça” (1966-1973), Fakulteti i Xehetarisë dhe i Metalurgjisë në Prishtinë (1970) e më vonë në Mitrovicë (1975-1979).

Në vitin 1969 u zgjodh profesor inordinar i Fakultetit Teknik të Prishtinës, ndërsa në vitin 1975 profesor ordinar i Fakultetit Xehtaro-Metalurgjik në Mitrovicë, ku ushtroi edhe detyrën e dekanit për dy mandate. Me themelimin e Universitetit të Prishtinës (1970) u zgjodh zëvendësrektor i parë, kurse në vitin 1981 u bë rektor i këtij universiteti (1981-1983). Anëtar korrespondent i ASHAK-ut u zgjodh që nga themelimi i Akademisë në vitin 1975, kurse në vitin 1978 u zgjodh anëtar i rregullt. Në vitin 1986 u bë anëtar i Kryesisë së KSA të Kosovës.

Akademik Dushi ka lënë pas një trashëgimi të pasur shkencore me mbi 180 punime bibliografike dhe 18 libra shkencorë. Gjatë karrierës së tij, ai ka qenë i njohur për angazhimin e tij të palodhur në avancimin e edukimit dhe shkencës, si dhe ka marrë një sërë çmimesh dhe dekoratash për kontributin e tij të jashtëzakonshëm.

Përveç angazhimit në fushën shkencore, ai ka qenë gjithashtu një veteran i Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare dhe është shpallur veteran i arsimit të Kosovës.

Exit mobile version