UBT News

Ndërpritet qarkullimi i trenave në Kosovë: Sindikata e Infrakos hyn në grevë, pezullohen të gjitha linjat

Qarkullimi i trenave në Kosovë është ndërprerë sot, më 9 nëntor, si pasojë e grevës së paralajmëruar nga organizatat sindikale të Infrakos.

Ndërmarrja Trainkos ka njoftuar se treni me numër 4201, i nisur nga Prishtina në orën 07:50, është ndalur në Fushë-Kosovë pasi Infrakos ka ndërprerë ofrimin e shërbimeve infrastrukturore në orën 08:00.

Pas këtij treni, të gjitha linjat e tjera hekurudhore janë pezulluar deri në normalizimin e plotë të situatës.

Trainkos ka kërkuar mirëkuptim nga udhëtarët, duke theksuar se shërbimet e transportit do të rikthehen sapo të krijohen kushtet e nevojshme, ndërsa qytetarët do të njoftohen me kohë për çdo ndryshim. Punëtorët e Infrakos kishin paralajmëruar këtë grevë qysh gjatë protestës së mbajtur më 26 tetor para stacionit hekurudhor në Fushë-Kosovë.

Kërkesat e tyre kryesore përfshijnë indeksimin e pagave, përmirësimin e kushteve të punës dhe rritjen e sigurisë, duke drejtuar akuza ndaj bordit dhe menaxhmentit për mosplotësimin e tyre. /E.A/

Exit mobile version