UBT News

Ndërprerje globale e shërbimeve të Microsoft-it, preken përdoruesit në 74 shtete

Gjiganti teknologjik Microsoft po përballet me vështirësi serioze në rregullimin e një ndërprerjeje globale të shërbimeve të tij, e cila ka lënë jashtë funksionit platformat kryesore si Teams, Outlook dhe softuerin e inteligjencës artificiale Copilot, për shkak të problemeve me lidhjen.

Sipas të dhënave nga faqet e monitorimit të rrjetit, kjo rënie e sistemit ka zgjatur për më shumë se 11 orë dhe ka prekur përdoruesit në 74 shtete të botës. Kompania, aplikacionet Microsoft 365 të së cilës përdoren nga mbi 430 milionë njerëz, bëri të ditur se përpjekjet e deritanishme për të zgjidhur problemin nuk po japin rezultatet e pritura.

Nga Microsoft-i kanë sqaruar se kjo ndërprerje nuk është shkaktuar nga ndonjë incident i sigurisë kibernetike. Megjithatë, kjo situatë ka nxitur reagime të ashpra në komunitetin teknologjik.

“Nëse ky nuk është një sulm kibernetik, atëherë është një paaftësi e pabesueshme”, deklaroi një ekspert i teknologjisë për BBC-në.

Pasojat e kësaj rënieje të rrjetit janë ndjerë edhe te kompani të tjera të mëdha të teknologjisë, ku gjigantët e inteligjencës artificiale, OpenAI dhe Anthropic, kanë raportuar po ashtu probleme në funksionimin e shërbimeve të tyre. /BBC/

 

Exit mobile version