UBT News

Nderohet sakrifica e të mbijetuarve të dhunës seksuale, bëhen homazhe te memoriali “Heroinat”

Në shënim të 14 prillit, Ditës Memoriale të të Mbijetuarve të Dhunës Seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë, Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, njëherësh Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, së bashku me Kryeministrin e vendit dhe të mbijetuar të dhunës seksuale, kanë bërë sot homazhe te memoriali “Heroinat” në Prishtinë.

Përmes këtij akti simbolik, udhëheqësit e institucioneve dhe të mbijetuarit nderuan qëndresën dhe forcën e jashtëzakonshme të të gjithë atyre që u ballafaquan me këtë krim makabër lufte.

Kjo ditë shërben si një kujtesë e fuqishme për rrugën e gjatë drejt drejtësisë dhe nevojën për përkrahje të vazhdueshme shoqërore ndaj të mbijetuarve, duke thyer heshtjen dhe stigmatizimin.

Pjesëmarrësit në homazhe ritheksuan përkushtimin institucional për dokumentimin e krimeve dhe kërkimin e llogaridhënies, duke e cilësuar memorialin “Heroinat” si një simbol të gjallë të sakrificës dhe dinjitetit të gruas kosovare në rrugën drejt lirisë.

Foto: RTK

Exit mobile version