Ndërmarrja publike Trepça ka eksportuar dje (e mërkurë) mbi 200 tonë koncentrat të plumbit. Sipas kësaj ndërmarrje, eksporti u bë nga Njësia Biznesore Minierat me Flotacion Trepça në Stan Tërg.
“Me datë 4.9.24 Ndërmarrja Trepça Sh.A. ka eksportuar koncentratin e plumbit “K/Pb” nga Njësia Biznesore Minierat me Flotacion Trepça në Stan Tërg. Sasia e eksportuar e koncentratit të plumbit është 237.50T”, thuhet në njoftimin e kompanisë Trepça.
Ndryshe gjatë muajve të fundit, në këtë ndërmarrje pati vonesa në ekzekutimin e pagave për minatorët, të cilët vazhdimisht kanë shprehur pakënaqësi për vonesa në paga. Gjatë muajit qershor ishin zotuar se përderisa nuk i merrnin pagat që u takojnë, do të nisnin punën si minatorë.
Ndërsa rreth 30 milionë euro janë ndarë për ndërmarrjen publike Trepça nga Qeveria e Kosovës në katër vitet e fundit.
Para pak ditësh nga Pakoja për Reingjallje Ekonomike, qeveria aktuale ka ndarë mbi 4 milionë euro për pagat e minatorëve, të cilët kanë mbetur pa i marrë ato tash e tre muaj.
Në një përgjigje me shkrim për KosovaPress, nga Zyra për Komunikim me Publikun në ndërmarrjen Trepça, patën bërë të ditur se në vitin 2021 qeveria e Kosovës ka ndarë afro 8 milionë euro, e njëjtë edhe në vitin 2022. Ndërkaq, në vitin 2023 kishte ndarë mbi 8 milionë euro.