Pas një rrugëtimi të suksesshëm në festivale të ndryshme ndërkombëtare dhe një prezantimi të mëhershëm në Podgoricë, filmi artistik me metrazh të gjatë “Nderi” u shfaq edhe për publikun në Prishtinë në mbrëmjen e së enjtes. Kjo premierë përkoi simbolikisht me shënimin e 20-vjetorit të pavarësisë së Malit të Zi, vend nga i cili vjen edhe produksioni i filmit.
Me regji të Nikola Vukčević, “Nderi” është rezultat i një pune disavjeçare, që i ka marrë regjisorit rreth tetë vite për ta sjellë në ekran. Filmi ndërton boshtin e tij narrativ mbi Kanunin e Lekë Dukagjinit, duke trajtuar tema të thella si morali, nderi dhe sakrifica.
Ngjarja bazohet në një histori të vërtetë nga periudha e Luftës së Dytë Botërore. Rrëfimi ndjek fatin e një fëmije ortodoks që, duke ikur nga një njësi fashiste, gjen strehim te një familje muslimane shqiptare. Pikërisht në këtë raport zhvillohet drama e filmit, duke vënë në pah besën shqiptare dhe vendosmërinë për të mbrojtur jetën e tjetrit, edhe përballë rrezikut ekstrem.
Në rolet kryesore paraqiten aktorët Edon Rizvanolli, Alban Ukaj, Xhejlane Tërbunja, Selman Jusufi, Nikola Ristanovski, Elez Adžović dhe emra të tjerë të njohur të skenës.
“Nderi” është propozuar nga Qendra e Filmit të Malit të Zi për çmimin Oscar, megjithatë nuk arriti të përfshihet në listën e ngushtë. Pavarësisht kësaj, filmi ka shënuar suksese të rëndësishme ndërkombëtare, duke u vlerësuar me çmime dhe duke u shfaqur në festivale prestigjioze, përfshirë edhe ato të kategorisë A, si në Kajro, Goa dhe Palm Springs.
