UBT News

Ndalohet pjesëmarrja e publikut në shumicën e ngjarjeve olimpike në Tokio – shpallet gjendje e jashtëzakonshme

Për 125 vjet ata kanë qenë një pjesë integrale e ngjarjes më të madhe sportive në botë, duke frymëzuar atletët që të jenë më të shpejtë, më të lartë dhe më të fortë. Por, për herë të parë në histori, spektatorëve u është ndaluar pjesa më e madhe e ngjarjeve olimpike pasi u shpall gjendja e katërt e jashtëzakonshme në Tokio.

Organizatorët kishin planifikuar të lejonin deri në 10 mijë spektatorë nëpër palestra dhe stadiume, megjithë frikën se kjo mund të bënte që Lojërat Olimpike të shndërrohen në një ngjarje super-përhapëse të virusit. Sidoqoftë të enjten ata u detyruan të bënin një kthesë pas një rritjeje enorme në rastet e variantit Delta.

Kjo masë është goditja e fundit për këtë ngjarje sportive që edhe ashtu ishte shtyrë për një vit për shkak të pandemisë Covid-19, diçka që ka sjellë shumë probleme përfshirë edhe tejkalimet masive të buxhetit.

Kryeministri i Japonisë, Yoshihide Suga, tha se vendimi ishte marrë pasi Tokio raportoi 920 infeksione të reja me koronavirus, numri më i lartë që nga maji, dhe nga frika se virusi mund të përhapet ndërsa njerëzit ktheheshin në shtëpi për pushime verore. Sidoqoftë ai premtoi që Olimpiada, e cila do të fillojë më 23 korrik, do të tregojë qëndrueshmëri përballë fatkeqësive.

“Do të jetë një mënyrë e pazakontë e organizimit të ngjarjes mes një gjendje të jashtëzakonshme”, pohoi Suga. “Por unë dua të tregojë nga Tokio se raca njerëzore mund të kapërcejë vështirësitë e mëdha përmes punës së madhe dhe mençurisë”.

Pjesëmarrja e shikuesve është ndaluar në më shumë se gjysmën e 43 impiantave Olimpike dhe Paraolimpike, përfshirë edhe “Stadiumin Kombëtar” me kapacitet 68 mijë shikues, aty ku veç është vendosur të mbahet ceremonia e hapjes më 23 korrik.

Sidoqoftë, ministri Olimpik, Tamayo Marukawa, tha se disa vende jashtë Tokios, siç është Fukushima, do t’i lejojnë tifozët në stadiume deri në 50% të kapacitetit.

Vendimi për ndalimin e spektatorëve është mbështetur nga publiku japonez. Përmes një sondazhi të gazetës Asahi, 64% e të anketuarve preferojnë të mbajnë Olimpiadën pa spektatorë, ndërsa 30% kanë thënë se dëshironin një numër të kufizuar të shikuesve./UBTNews

Exit mobile version