UBT News

Ndalohet për 48 orë personi që kërcënoi publikisht Ramush Haradinajn

Prokuroria Speciale ka caktuar masën e ndalimit prej 48 orësh për të dyshuarin Skender Llugiqi, nën dyshimin për kryerjen e veprave penale “Nxitja e përçarjes dhe mosdurimit” si dhe “Kanosja”.

Skender Llugiqi dyshohet se gjatë një vizite në Kuvendin e Kosovës më 12 gusht 2026, ka kërcënuar ish-kryetarin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj. Incidenti ka ndodhur gjatë ditës së tretë të aktivitetit tradicional ku Kuvendi hap dyert për vizitorët nga diaspora.

Në disa pamje të publikuara në media, i dyshuari dëgjohet në sallën plenare teksa shprehet se Haradinaj “duhet të dënohet dhe të pushkatohet”.

“Nëse duhet me u dënu Millan Radoiçiqi 20 vjet, Ramush Haradinaj duhet me u dënu 40 vjet, 50, 100 vjet, duhet me u pushkatu”, dëgjohet të thotë ai para vizitorëve të tjerë.

Lidhur me ngjarjen, Prokuroria Speciale bëri të ditur se po bashkëpunon ngushtë me organet e rendit për zbardhjen e plotë të rastit:

“Prokuroria Speciale, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës – Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda, është duke ndërmarrë të gjitha veprimet dhe procedurat e nevojshme hetimore, me qëllim të sqarimit dhe vërtetimit të plotë të rrethanave të rastit të ndodhur të mërkurën në Kuvendin e Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin zyrtar.

Ndaj kësaj ngjarjeje ka reaguar edhe zyrtari i lartë i AAK-së, Ardian Gjini, i cili e ka dënuar gjuhën e përdorur dhe deklaratat e bëra kundër bashkëpartiakut të tij. /E.A/

 

Exit mobile version