UBT News

Ndalohet një zyrtar i Gjykatës së Prishtinës, dyshohet për keqpërdorim detyre

Prokuroria Themelore në Prishtinë, në bashkëpunim me Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit (DHKEK) në Policinë e Kosovës, ka ndaluar sot për 48 orë personin me inicialet A.B., udhëheqës i Zyrës për Menaxhimin e Lëndëve në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

Sipas njoftimit të Prokurorisë, ndalimi është bërë pas hetimeve disamujore, nën dyshimin se A.B. ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”. Ai dyshohet se gjatë ushtrimit të detyrës, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror për vete dhe persona të tjerë, ka krijuar dosje fiktive duke vendosur vulën e vërtetësisë në kopjen e një kontrate të falsifikuar të shitblerjes.

Përmes këtyre veprimeve, shtetasit të Serbisë me inicialet M.B. — i cili aktualisht ndodhet në arrati — i është mundësuar regjistrimi i kundërligjshëm i një banese me sipërfaqe prej 55.89 m² në Zonën Kadastrale në Matiçan, pranë Zyrës Kadastrale në Prishtinë.

Prokurori i Shtetit ka paralajmëruar se brenda afatit ligjor do të paraqesë kërkesë në gjykatën kompetente për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit. /E.A/

Exit mobile version