Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut, në bashkëpunim me Doganën e Kosovës, ka ndaluar vendosjen në treg të rreth 150.000 lodrave për fëmijë me origjinë nga Kina.
Gjatë inspektimeve të kryera në pikat doganore është konstatuar se këto produkte nuk i plotësonin kërkesat themelore të përcaktuara me rregulloren në fuqi për sigurinë e lodrave.
Nga IQMT është bërë me dije se lodrat që nuk përmbushin standardet ligjore paraqesin rrezik serioz për shëndetin dhe sigurinë e fëmijëve.
Ky aksion u realizua në kuadër të një aktiviteti të përbashkët të mbikëqyrjes së tregut në të gjitha vendet anëtare të CEFTA-s, me synim forcimin e kontrolleve dhe parandalimin e hyrjes së produkteve të pasigurta në treg. /E.A/
