Ka ndërruar jetë artisti dhe regjisori nga Ferizaj, Kushtrim Asllani.
Lajmin e hidhur e ka bërë të ditur këngëtari Mentor Haziri, përmes një postimi në rrjete sociale.
“Kushtrimi, djali i dajës, na la e na tronditi të gjithëve sot. Një djalë shembullor, artist e regjisor me kontribut të madh në Teatrin e Ferizajt dhe në komunitetin tonë artistik, në qytet e më gjerë”, ka shkruar Haziri.

Ai shtoi më tej: “Një djalë që na donte të gjithëve dhe që mezi priste të vinte në pranverë për të na parë. U prehtë shpirti në parajsë, Kusho.”
Edhe aktorja, Gresa Gashi, ka reaguar pas lajmit të ndarjes nga jeta të artistit.
“Jam e tronditur nga lajmi për vdekjen tënde. U prehsh në paqe, Kushtrim. S’po më besohet,” ka shkruar ajo.
Vitet e fundit, Asllani mësohet se kishte jetuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. /A.Z/UBT News/
