Bota e futbollit është tronditur nga lajmi për ndarjen nga jeta të Alexander Manninger në moshën 48-vjeçare. Ish-portieri austriak raportohet se ka humbur jetën në një aksident ku makina e tij u godit nga një tren në një kalim hekurudhor.
Manninger kishte një karrierë të pasur në futbollin evropian, duke lënë gjurmë të veçanta te Juventusi, ku ishte pjesë e skuadrës nga viti 2008 deri në vitin 2012. Ai e nisi rrugëtimin e tij profesional te Austria Salzburg, ndërsa në vitin 1997 hyri në histori si austriaku i parë që u transferua te Arsenal në Premier League.
Gjatë kohës së tij në Londër, ai regjistroi 39 paraqitje dhe ishte pjesë e sezonit të artë 1997/98, ku Arsenal fitoi si titullin e Premier League, ashtu edhe FA Cup.
Në vazhdim të karrierës së tij, Manninger mbrojti edhe ngjyrat e AC Siena dhe më pas u rikthye në nivele të larta me Juventusin. Në fund të karrierës, ai kaloi edhe një periudhë dyvjeçare nën kontratë me Liverpool.Në nivel ndërkombëtar, Manninger zhvilloi 33 ndeshje me përfaqësuesen e Austrisë. Në Kampionatin Evropian të vitit 2008, të zhvilluar në Austri, ai ishte portier rezervë i Jurgen Macho.
Ndarja e tij nga jeta lë një boshllëk të madh në botën e futbollit dhe kujtimi i tij do të mbetet i gjallë për kontributin dhe sukseset e arritura gjatë karrierës.
