Bota e arteve marciale është tronditur nga një lajm i hidhur. Luftëtari brazilian i MMA-së, Allan Nascimento, ka ndërruar jetë në moshën 35-vjeçare, pasi pësoi një atak në zemër gjatë gjumit.
Lajmi për vdekjen e tij u konfirmua përmes një deklarate zyrtare të UFC-së. Sipas informacioneve të publikuara, Nascimento u gjet pa shenja jete në mëngjesin e së hënës, më 3 gusht. Edhe pse ekipi mjekësor ndërhyri menjëherë, përpjekjet për ta rikthyer në jetë rezultuan të pasuksesshme.
“Këtë mëngjes, të hënën, më 3 gusht, i dashuri ynë Allan Nascimento u gjet pa shenja jete pasi pësoi një atak në zemër gjatë gjumit. Pavarësisht përpjekjeve të ekipit mjekësor, ai u shpall i vdekur në vendngjarje.
Mendimet dhe ngushëllimet tona më të sinqerta shkojnë për familjen, miqtë, bashkëluftëtarët dhe të gjithë ata që e deshën Allanin”, thuhet në deklaratën e UFC-së.
Gjatë karrierës së tij në UFC, Nascimento zhvilloi gjashtë duele, duke regjistruar katër fitore dhe dy humbje. Në karrierën e përgjithshme në MMA ai mbylli bilancin me 22 fitore dhe shtatë humbje.
Braziliani debutoi në UFC kundër Tagir Ulanbekov, ndërsa më pas arriti fitore ndaj Jake Hadley, Carlos Hernandez, Jafel Filho dhe Cody Durden. Ndeshjen e fundit e zhvilloi në qershor të këtij viti, kur u mposht me vendim të ndarë të gjyqtarëve nga Mitch Raposo.
Edhe pse nuk ishte pjesë e elitës së yjeve më të mëdhenj të UFC-së, Allan Nascimento konsiderohej një talent në ngritje dhe një nga luftëtarët më premtues të kategorisë së peshës flutur (flyweight), duke lënë pas një trashëgimi të respektueshme në sportin e MMA-së.
D.L
