Ikona e kinematografisë shqiptare Mimika Luca ka ndërruar jetë në moshën 86-vjeçare. Ka qenë i biri i saj, sipërmarrësi Gjergj Luca që ka bërë publik lajmin duke thënë se “nëna e tij mori rrugën e parajsës”.
Varrimi i artistet së madhe shqiptare do të bëhet të mërkurën në varrezat e Sharrës.
“E shtrenjta nëna ime, Mimika Luca, sot mori rrugën për në Parajsë! Miqtë dhe dashamirët i presim të Hotel “International”, pas Lidhjes së Shkrimtarëve, Tiranë. Nga, sot nga ora 17:00 deri në orën 22:00. Nesër, nga ora 08:00 deri në orën 12:00. Varrimi bëhet nesër në orën 12:00. Në Varrezat e Sharrës”, shkruan Luca.
Mimika Luca ka pasur një karrierë të gjatë si aktore me mbi 30 role në 15 vite. Ajo interpretoi në skenën e Teatrit të Operas dhe Baletit, si balerinë, nga 1951 – 1962. Më 1962 pranohet aktore në Teatrin Popullor, ku ka interpretuar në rolet si: Suzana, Luçia, Tjen Ny te “Muri i madh”, Dila te drama Cuca e maleve, Sonja, Nica te filmi Gjenerali i ushtrisë së vdekur, Laja te Kur hidheshin themelet, etj.
Ka interpretuar edhe në 12 filma artistikë. U martua me aktorin e shquar Ndrekë Luca. Shkroi edhe disa drama, të cilat u vunë në Teatrin Popullor, më e njohura “Drita”, etj. Në vitin 1977 kalon pedagoge në Institutin e Lartë të Arteve, dega dramë.
Roli i parë në skenë si aktore ka qenë krah bashkëshortit Ndrek Luca, në filmin “Detyrë e posaçme”, më pas në filmin “Kryengritje në pallat”, “Kur hidheshin themelet” e shumë të tjerë. /rtsh.al/