UBT News

Ndahet nga jeta historiani dhe publicisti kosovar Daut Dauti

Historiani, gazetari, hulumtuesi dhe publicisti i njohur nga Kosova, Dr. Daut Dauti, ka ndërruar jetë në Londër në orët e para të mëngjesit, pas një sëmundjeje të rëndë me të cilën ishte përballur për rreth dy vjet.

Dauti lindi në vitin 1960 në Kokaj të Gjilanit dhe gjatë karrierës së tij la gjurmë në gazetari, historiografi dhe në studimet për Kosovën dhe çështjen shqiptare.

Ai kreu studimet në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës, ndërsa studimet pasuniversitare i vazhdoi në Thames Valley University në Londër, në fushën e Bashkimit Evropian.

Karrierën në gazetari e nisi në gazetën studentore “Bota e Re”, ndërsa më pas vazhdoi në revistën “Zëri”. Nga viti 1994 deri më 1999 ishte korrespondent i saj në Londër, ndërsa gjatë viteve 1999–2001 punoi si redaktor në Institute for War and Peace Reporting (IWPR).

Në vitet 2000–2002, Dauti shërbeu si sekretar i përgjithshëm i Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës dhe ishte anëtar i pavarur i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Ai ka ushtruar edhe detyrën e këshilltarit për media dhe zëdhënësit të Qeverisë së Kosovës, të udhëhequr nga kryeministri Bajram Kosumi, ndërsa në Londër ishte i angazhuar edhe me organizata ndërkombëtare.

Me veprimtarinë e tij shumëvjeçare në gazetari, histori dhe publicistikë, Daut Dauti mbetet një nga emrat e njohur të jetës intelektuale dhe mediatike shqiptare në Kosovë./A.K/

Exit mobile version