Frank Caprio, gjyqtari i dashur nga miliona njerëz në mbarë botën dhe i njohur për vendimet e tij të mbushura me mëshirë e humanizëm, ka ndërruar jetë në moshën 88-vjeçare. Ai u shua pas një beteje të gjatë me kancerin pankreatik.
Familja e tij bëri të ditur lajmin e hidhur përmes një deklarate ku theksohej se Caprio u nda nga jeta i qetë, i rrethuar nga më të dashurit e tij. “Ai ishte një bashkëshort i përkushtuar, baba, gjysh, stërgjysh dhe mik i paharrueshëm,” shkruhet në mesazhin e familjes.
Një gjyqtar që preku zemrat e miliona njerëzve. Caprio fitoi famë botërore përmes programit televiziv Caught in Providence (2018–2020), ku gjykonte çështje të vogla dhe gjoba duke i kthyer ato në momente prekëse, të mbushura me humor dhe mirëkuptim.
Ai trajtonte çdo qytetar me dinjitet dhe nuk ngurronte të falte ose të tregonte dhembshuri kur rrethanat e justifikonin. Për këtë arsye, publiku i dha nofkën e merituar “gjyqtari më i mirë në botë”.
Beteja me sëmundjen
Në fund të 2023, Caprio bëri publike diagnozën e iu nënshtrua trajtimeve të gjata me kimioterapi dhe radioterapi. Në maj 2024 festoi përfundimin e trajtimit me ceremoni simbolike, duke shpresuar për shërim. Megjithatë, pak ditë para vdekjes së tij, publikoi një video prekëse ku kërkonte lutje për shkak të një përkeqësimi shëndetësor. Vetëm pak ditë më pas, u shua.
Homazhe dhe trashëgimi
Guvernatori i Rhode Island, Dan McKee, urdhëroi uljen e flamujve në gjysmë shtize në nder të tij, duke e cilësuar Caprion “një thesar të Rhode Island-it dhe një simbol të dhembshurisë në drejtësi”.
Frank Caprio shërbeu për gati katër dekada si kryetar i Gjykatës Bashkiake të Providence, nga 1985 deri në pensionimin e tij më 2023. Trashëgimia e tij shkon përtej sallës së gjyqit: u bë frymëzim për miliona njerëz në mbarë botën, duke treguar se drejtësia mund të ushtrohet me humanizëm dhe dashuri për njeriun.