UBT News

Ndahen çmimet në fushën e trashëgimisë kulturore

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, ka ndarë sot çmimet në fushën e trashëgimisë kulturore.

Çmimi për veprimtari jetësore në fushën e trashëgimisë kulturore “Dea Dardanicae” postmortum është ndarë për rapsodët Salih dhe Feriz Krasniqi. Çmimi vjetor për merita të veçanta “Shtjefën Gjeçovi”, i është ekipit realizues të projektit “Kujtesa e Kosovës rrëfimi i 100 pleqve e plakave të Kosovës”.

Çmimi vjetor për veprën shkencore “Zef Mirdita”, u është ndarë Kujtim Rrahmanit dhe Arbër Sadikut, ndërsa çmimi vjetor për menaxhim institucional “Muhamed Shukriu”, është ndarë për drejtorin e Bibliotekës Kombëtare, Fazli Gajraku.

Në ceremoninë e ndarjes së këtyre çmimeve që u mbajt në parkun arkeologjik Ulpiana, ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, tha se pjesa më e madhe e çmimeve të ndara sot i kanë dhënë rëndësi pjesës së trashëgimisë shpirtërore.

“Më vjen mirë që pjesa më e madhe e çmimeve sot i kanë dhënë rëndësi pjesës së trashëgimisë shpirtërore, e cila Kosovës i duhet për ta pasuruar sa më shumë duke i treguar identitetin tonë kombëtar dhe shpirtëror. Të gjitha çmimet kanë një emër dhe mbiemër të cilët kanë një rëndësi të madhe duke filluar nga rapsodia, e cila me shekuj daton ku nëpërmes telave të sharkisë dhe çiftelisë janë kënduar këngë kreshnike, këngët e lavdisë, këngët e dashurisë, këngët e atdheut dhe janë dhënë mesazhe të ndryshme”, tha ajo.

Dumoshi u shpreh tejet e kënaqur që si ministri kanë mbështetur edhe projektin “Kujtesa e Kosovës, rrëfimi i 100 pleqve e plakave të Kosovës”, për të cilin projekt tha se ka synim që të pasurojë dokumentacionin e Kosovës dhe të prezantohet Kosova sa më mirë.

“Synimet tona janë më stazë të gjatë deri tek UNESCO, prandaj pikë për pikë mbushet edhe dokumentacioni edhe prezantohet Kosova ashtu siç i ka hije”, tha ajo.

Çmimi për veprimtari jetësore në fushën e trashëgimisë kulturore “Dea Dardanicae” postmortum të ndarë për rapsodët Salih dhe Feriz Krasniqi, e ka pranuar djali i Salihut, Naim Krasniqi, i cili tha se është i lumtur që tashmë po vlerësohet krijimtaria e tyre.

“Jemi krenarë dhe jemi të lumtur që ministria më në fund mos ta them po bënë diçka për veteranët e folklorit shqiptar Salih dhe Feriz Krasniqi, njëkohësisht mund t’i quaj ambasadorë të folklorit të shekullit të kaluar”, tha ai.

Profesori Arsim Canolli në emër të ekipit realizues të projektit “Kujtesa e Kosovës rrëfimi i 100 pleqve e plakave të Kosovës”, pranoi çmimin vjetor për merita të veçanta “Shtjefën Gjeçovi”. Ai tha se një pjesë e historisë së Kosovës tashmë ruhet si monument i trashëgimisë kulturore e shpirtërore.

“Falënderoj shumë të gjithë ata të moshuar, pleq e plaka siç i kemi quajtur që e kanë hapur derën e shtëpisë së tyre dhe na kanë lejuar që një copë të madhe të historisë së Kosovës që ka qenë krejt prapa mureve të shtëpisë, prapa dyerve të shtëpisë dhe jo e treguar në sferën publike, tash ruhet si monument i trashëgimisë kulturore shpirtërore”, tha ai.

Exit mobile version