Mbrëmja e NBA solli përballje spektakolare, ku spikati dueli mes LeBron James dhe Stephen Curry, ndërsa kampionët e Boston Celtics zhgënjyen para tifozëve të tyre.
Boston Celtics, kampionët në fuqi, u mundën 127-120 në fushën e tyre nga Dallas Mavericks. Kontributi nga stoli i skuadrës teksane ishte vendimtar, duke siguruar 57 pikë, ndërsa Klay Thompson ishte lideri i ekipit me 25 pikë. Për Bostonin, humbja tregon mungesën e dominimit që i karakterizoi sezonin e kaluar.
Los Angeles Lakers triumfuan 120-112 ndaj Golden State Warriors, në një ndeshje ku LeBron James dominoi totalisht. Superylli i Lakers regjistroi 42 pikë dhe 17 rebound, duke neutralizuar performancën e shkëlqyer të Stephen Curry, i cili realizoi 37 pikë për Warriors. Ky duel mes dy ikonave të NBA-së konfirmoi formën e shkëlqyer të LeBronit, që vazhdon të jetë faktor vendimtar në parket.
Minnesota Timberwolves siguruan një fitore të rëndësishme 127-114 ndaj Houston Rockets, falë një performance të jashtëzakonshme nga Anthony Edwards, i cili realizoi 41 pikë. Ndërkohë, Los Angeles Clippers mposhtën 119-112 Indiana Pacers, me një lojë të ekuilibruar, ku gjashtë lojtarë të ekipit kalifornian realizuan mbi 12 pikë secili.
Rezultatet e plota të natës në NBA
Boston – Dallas 120-127
Minnesota – Houston 127-114
Denver – Orlando 112-90
Lakers – Golden State 120-112
Portland – Sacramento 108-102
Clippers – Indiana 119-112
Sezoni vazhdon me rivalitet të madh, ndërsa ekipet kryesore po përpiqen të konsolidojnë pozitat e tyre për fazën e playoff-it./UBTNews/