UBT News

Nata e heshtjes: Lamtumirë, poetit Agim Doçi

Në agimin e mëngjesit, poeti i mirënjohur Agim Doçi u largua nga kjo botë, duke lënë pas një boshllëk në letrat shqipe. Pasi kishte kaluar ditë të vështira në reanimacionin e Shërbimit Neurovaskular në QSUT, ku ndodhej pas një hemorragjie cerebrale, ai u nda nga jeta më 24 qershor, në orën 06:00 të mëngjesit, në moshën 76-vjeçare.

Lajmi mblodhi menjëherë ngushëllime dhe mesazhe mirënjohjeje nga bashkëpunëtorët e tij të shumtë.

Në rrjetet sociale, këngëtarja e njohur Myfarete Laze shkroi një mesazh prekës, “Lamtumirë Lamtumirë, Agim Doçi. O pendë artë e vargut poetik e të kënduar në breza. Te kjoftë dheu i lehtë ashtu si të lehtë, të bukur, e bëre jetën tonë, plot shpresë, mençuri, dashuri, patriotizëm, vlera, duke skalitur në mos harresë emrin Agim Doçi. Ashtu si trokite në çdo zemër me vargun tënd të kënduar. Lamtumirë Agim Doçi.” Laze shprehu gjithashtu ngushëllimet më të thella për familjarët e poetit: “Pushofsh në paqe me Zotin tënd.”

Kushdo që e kujton Doçin, sjell në mendje vargjet e tij të pavdekshme si “Nata”, “Mos ja prishni lumturinë”, dhe “A vritet pafajësia?” – këngë që kanë shoqëruar breza të tërë. Ceremonia e varrimit do të zhvillohet ditën e nesërme në Tiranë, ndërsa homazhet do të mbahen në orën 11:00.

Agim Doçi, i lindur më 9 maj 1948, u arsimua në Shkodër dhe më pas në Universitetin Shtetëror të Tiranës në Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike. Ai ka punuar si inxhinier në Montimet Industriale dhe më vonë si kryeinxhinier për energjinë në Kombinatin e Drurit “Misto Mame”. Në vitet e fundit të ’80, përfshihet në lëvizjet e dhjetorit 1990.

Si një autor i shquar këngësh, Doçi ka fituar mbi 50 çmime, përfshirë edhe përfaqësimet në Eurovizion. Ai ka bashkëpunuar ngushtë me kompozitorin Edmond Zhulali dhe ka krijuar mbi 100 këngë për luftën e Kosovës, ndër të cilat dallohen “Marrshi i UÇK-së” dhe “A vritet pafajsia”.

Përveç këngëve, Doçi ka botuar edhe disa libra me poezi si ‘Hajde dru me pre’, ‘Rrëzuar mbi vetminë’, dhe ‘Rituali i kryqëzimit’. Lamtumira e tij lë një trashëgimi të pasur dhe të paharrueshme për të gjithë dashamirësit e artit dhe poezisë shqipe./UBTNews/

 

 

Exit mobile version