Duket se Napoli më në fund ka gjetur pasuesin e Liciano Spallettit dhe mësohet se tashmë ka përgatitur një kontratë dyvjeçare për trajnerin në largim të Paris Saint-Germain, Christophe Galtier.
Presidenti i kampionit të Italisë, Aurelio De Laurentiis ka qenë i angazhuar maksimalisht javët e fundit, duke kërkuar zëvendësuesin e duhur për heroin e Scudetto-s, Luciano Spalletti. Trajneri italian tashmë ka konfirmuar se do të bëjë një hap prapa nga futbolli për të bërë një vit pushimi, duke lënë një boshllëk të madh tek Napoli.
Napoli ka hartuar një listë të gjatë të zëvendësuesve të mundshëm për Spallettin, por tani po kërkon të marrë një vendim përpara nisjes së stërvitjeve parasezonale.
Siç raportohet nga “La Gazzetta dello Sport”, De Laurentiis ka përgatitur një kontratë dyvjeçare për Galtier me një opsion për një vit të tretë, me vlerë rreth 4 milionë euro neto në sezon.
Trajneri francez aktualisht është duke punuar për të rënë dakord për largimin e tij me PSG-në, e cila do t’i paguajë atij rreth 6 milionë euro dëmshpërblim. Për shkak të rregullave në Francë, klubet nuk mund të kenë më shumë se një trajner në listën e pagave të ekipit të parë, duke i shtyrë ata të finalizojnë largimin e 56-vjeçarit.