Naomi Campbell është ylli i kopertinës së magazinës britanike, Vogue – dhe asaj iu bashkua edhe një mysafire e veçantë.
Modelja u fotografua me të bijën e saj 9-muajshe për edicionin e marsit të revistës së modës. Në një intervistë, ajo reflektoi rreth mëmësisë, diversitetit në industrinë e modës dhe karrierën e saj të bujshme.
Ndonëse Campbell nuk zbuloi detaje rreth lindjes së vajzës së saj, ajo i tha revistës Vogue: “Nuk është e adoptuar – është fëmija im. Mund t’i numërojë në gishta njerëzit që e dinin se isha shtatzënë”.
Naomi deklaroi se mëmësia është gjëja më e rëndësishme që i ka ndodhur në jetë, duke e përshkruar të bijën, emri i së cilës mbetet i panjohur për publikun e gjerë, si bekimin më të madh.
Campbell u bë e njohur si modele në moshën 15-vjeçare. Modelja foli për racizmin me të cilin u përball si modele me ngjyrë – veçanërisht në vitet e para të karrierës së saj./UBTNews