Ish-kryeshefi ekzekutiv i Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), Nagip Krasniqi, dhe i akuzuari Isuf Zejna janë deklaruar të pafajshëm, kurse Ymer Dragusha ka arritur marrëveshje me Prokurorinë Themelore në Prishtinë për pranimin e fajësisë, lidhur me akuzën për keqpërdorimet në KEK.
Krasniqi, Zejna dhe Dragusha akuzohen për veprat penale “keqpërdorimi i detyrës apo autoritetit zyrtar”, “zbulimi i fshehtësisë zyrtare” dhe “ndihmë në keqpërdorim të detyrës apo autoritetit zyrtar”.
Në nisje të shqyrtimit fillestar prokurorja e rastit, Fikrie Fejzullahu u deklarua rreth marrëveshjes së arritur mes Prokurorisë dhe të akuzuarit Dragusha për pranimin e fajësisë për çka tha se është bërë në mënyrë vullnetare nga vetë i akuzuari.
Sipas prokurores, Zejnullahu marrëveshje e dakorduar parasheh dënim në kohëzgjatje prej 2 vitesh e cila nuk do të ekzekutohet në rast se i pandehuri nuk kryen vepra penale gjatë kësaj periudhe.
“Për pikën 1 të dispozitivit është rekomanduar dënimi me burgim në kohëzgjatje prej 8 muajsh, për veprën në dispozitivin 2 në kohëzgjatje prej 6 muajsh, për veprën penale nga dispozitivi nën 3 të aktakuzës po ashtu me dënim me burgim prej 6 muajsh, si dhe për veprën penale nga dispozitivi 4 i aktakuzës dënim prej 6 muajsh, e që me dënim unik është llogaritur dënim me burgim në kohëzgjatje prej 2 vitesh i cili nuk do të ekzekutohet nëse i pandehuri përmbush këto kushte: kushtëzimi vije në detyrimin e tij që të plotësoj detyrimet nga marrëveshje e statusit të tij si dëshmitarë bashkëpunues e datës 19 maj 2023. Se periudhën 2 vjeçare afat ky për kushtëzimin e këtij dënimi nuk kryen ndonjë vepër penale”, theksoi ajo.
Mbrojtësja e të akuzuarit Ymer Dragusha, Sabrije Krasniqi pohoi se pranimi i fajësisë nga klienti i saj është bërë me vullnet të plotë dhe pa presion nga askush.
“Është bërë në mënyrë vullnetare dhe pa presion nga askush dhe me vetë dëshirë“, theksoi avokatja Krasniqi.
Se me vullnet të plotë dhe duke pas parasysh pasojat e ka pranuar fajësinë për katër veprat penale që e ngarkon Prokuroria edhe vetë i akuzuari, Ymer Dragusha.
Më pas, kryetari i trupit gjykues, Rrahman Beqiri shpalljen e aktgjykimit për të akuzuarin, Ymer Dragusha e ka shtyrë deri në përfundim të gjithë kësaj çështje penale.
Pas kësaj, seanca e shqyrtimit fillestar vazhdoi me leximin e aktakuzës, sipas të cilës Nagip Krasniqi në cilësinë e kryeshefit të KEK-ut, Ymer Dragusha në cilësinë e ushtruesit të detyrës së drejtorit të zyrës së prokurimit dhe Isuf Zejna, si përfaqësues i kompanisë “Rexhepi Zeqiri Zejna L.L.C”, me veprimet e tyre i shkaktuan dëm buxhetit të shtetit rreth 37 milionë euro.
Prokurorja e rastit, Fikrie Zejnullahu tha se i akuzuarit, Nagip Krasniqi dhe Ymer Dragusha me veprimet e tyre kanë keqpërdorur autoritetin zyrtar duke dëmtuar në shkallë të lartë buxhetin e Kosovës.
“Krasniqin që si kryeshef i KEK-ut dhe i pandehuri Ymer Dragusha si u.d i drejtorit të zyrës së prokurimit në periudhën kohore prej 17 janarit 2022 deri më 27 janar 2023, duke keqpërdorur detyrën dhe autoritetin zyrtar, kanë tejkaluar kompetencat e tyre me qëllim që t’i mundësojnë përfitim personit tjetër- në këtë rast operatorit ekonomik “Litëin S.A’’, t’ua shkelin të drejtat e personave tjerë, në këtë rast operatorit ekonomik si dhe t’i shkaktojnë dëm buxhetit të Kosovës…. 25’50 si rezultat i veprimeve të të pandehurve për periudhën kohore 19 korrik 2022 deri më 6 maj 2023, blloku A5 ishte jashtë funksionit, andaj KEK u detyrua që të importojë energji elektrike në sasi prej 890,016 MËh, duke i shkaktuar KEK-ut dhe buxhetit të Kosovës dëm në shkallë të madhe, në shumën prej 36 milionë e 349 mijë e 638 euro e 62 centë”, thuhet në aktakuzë.
Tutje sipas aktakuzës ish-kryeshefi i KEK-ut, Nagip Krasniqi së bashku me Ymer Dragushën në mënyrë të kundërligjshme ka lidhur kontratë të dëmshme edhe me operatorin ekonomik “Rexhepi Zeqiri Zejna LL.C”.
“I pandehuri Ymer Dragusha, edhe përkundër faktit se ishte në dijeni se kërkesa e të pandehurit Nagip Krasniqi, ishte në kundërshtim me LPP-në, më 2 mars 2023, e fillon procedurën e prokurimit me titull “Angazhimi i një kompanie konsulent ligjor” përmes shkresës drejtuar KRPP-së. Përkundër rekomandimit të KRPP-së, të 6 marsit 2023, që për këtë aktivitet duhet të zhvillohet procedurë e hapur, të pandehurit Krasniqi dhe Dragusha, kanë zhvilluar procedurën e negocimit me operatorin ekonomik “Rexhepi Zeqiri Zejna L.L.C më 3 prill 2023 pas urdhrit të Krasniqit, i pandehuri Dragusha e nënshkruan kontratën me operatorin ekonomik “Rexhepi Zeqiri Zejna L.L.C” në vlerë prej 60 mijë euro”, thuhet në aktakuzë.
Dispozitivi i gjashtë i aktakuzës thotë se i akuzuari, Nagip Krasniqi në periudhën kohore 2022-2023 me dashje dhe në cilësinë e personit zyrtar ka zbuluar fshehtësi zyrtare lidhur me procedurat e prokurimit të cilat po zhvilloheshin në KEK, duke i ndarë me personin jozyrtar, përkatësisht me Dejona Mihalin.
Sipas aktakuzës, më 4 gusht 2022 Krasniqi gjatë komunikimeve në rrjetin social “Signal’’ i ka dërguar Mihalit, kërkesën drejtuar Qeverisë së Republikës së Kosovës përkatësisht kryeministrit të Kosovës dhe ministrave të Qeverisë për plotësim/ndryshimin e vendimit për shpalljen e emergjencës energjetike.
“Dhe se më 16 maj 2022, gjatë komunikimeve në rrjetin social ‘’Signal’’ i ka dërguar Mihalit, një komunikim-foto me shkrimin e tre emrave dhe pozitave të zyrtarëve në KEK: Driton Bytyqi, Emin Tmava dhe Mustafa Kavaja, pas të cilës e njëjta i kthen përgjigje dhe për secilin veç e veç i jep informata për profilin e secilit nga të lartcekurit. Me çka ka kryer veprën penale “Zbulimi i fshehtësisë zyrtare”, thuhet në aktakuzë.
Derisa avokati, Isuf Zejna akuzohet se gjatë dhjetorit të vitit 2021 e deri në prill të 2023-ës, në Prishtinë, Zejna si përfaqësues i kompanisë “ Rexhepi Zeqiri Zejna L.L.C” me dashje dhe me qëllim të përfitimit personal, ka ndihmuar të pandehurin Krasniqi që ta keqpërdor detyrën zyrtare në lidhje me tenderin e titulluar “Angazhimi i një kompanie konsulent ligjor”.
Lidhur me të gjitha akuzat që u ngarkua ish-kryeshefi i Korporatës Energjetike të Kosovës(KEK), pas leximit të aktakuzës është deklaruar i pafajshëm.
“Plotësisht i pafajshëm në të gjitha pikat”, tha ai.
Fajësinë nuk e pranoi as avokati, Isuf Zejna.
“Nuk e pranoj fajësinë“, tha ai.
Seanca e kaluar e shqyrtimit fillestar për aktakuzën e dytë ndaj ish-kryeshefit të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), Nagip Krasniqi, Ymer Dagushës si dhe Isuf Zejnës, të akuzuar për keqpërdorime në KEK dështoi pasi mungoi i akuzuari, Ymer Dragusha.
Lidhur me këtë rast Prokuroria Themelore e Prishtinës ka ngritur aktakuzën më 30 dhjetor 2024.