UBT News

Nagavci u kërkon mësimdhënësve të ndërprejnë grevën

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci ka kërkuar nga të gjithë punëtorët e arsimit që të mos ketë grevë në çerdhe e shkolla. Ajo ka theksuar se i janë përgjigjur të gjitha kërkesave të Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës, për çka i ka lutur punëtorët e arsimit që në vendimet e tyre të mos ndikohen nga presioni i të tjerëve. Madje sipas saj, në 90 për qind të institucioneve nuk është duke u mbajtur greva. Ajo në konferencë për media ka bërë të ditur se janë bërë të gjitha përgatitjet për fillimin e vitit të ri shkollor dhe se janë shpërndarë të gjitha tekstet.

Ministrja Arbërie Nagavci deklaroi se vetëm tekstet e klasës së pestë janë në proces dhe se shpejt do të jenë në duart e nxënësve.


“Tashmë është bërë shpërndarja e teksteve mësimore dhe këtë vit shkollor të gjithë nxënësit do të pajisen komplet me tekste të reja. Për herë të parë tekstet shkollore janë shpërndarë pa vonesë, tashmë janë të ndara në të gjitha komunat. Kemi tekste të përzgjedhura nga vet mësimdhënësit, e të përcjellura në ministri si kërkesa nga Drejtoritë Komunale të Arsimit. Duhet të potencojë se vetëm tekstet e klasës së pestë janë në proces dhe besoj që shumë shpejt edhe ato do të jenë në duart e nxënësve”,
 ka thënë Nagavci në konferencë për media.

Po ashtu, ajo ka njoftuar se nga ky vit shkollor, Kosova dhe Shqipëria do të mësojnë në një abetare. Ajo bëri të ditur se nesër në Gjakovë do të lansohet Abetarja bashkë me ministren e Arsimit të Shqipërisë.

“Pas një përkushtimi të madh të Qeverisë së Kosovës dhe Qeverisë së Shqipërisë, nga ky vit shkollor të gjithë vogëlushët shqiptarë do të mësojnë me të njëjtën Abetare. Bashkë me ministren e Shqipërisë, zonjën Evis Kushi ne sot do të lansojmë Abetaren e parë të përbashkët, e cila do të jetë në duart e vogëlushëve tanë”, tha Nagavci.

Më tej, ajo para gazetarëve ka bërë të ditur se të gjitha shkollat janë të gatshme për fillimin e procesit mësimor dhe se janë mbi 90 për qind e institucioneve të cilat nuk janë përfshirë në grevën e BSPK-së.

“Nga takimet e zhvilluara me drejtoritë komunale së fundmi edhe dje, jemi informuar se të gjitha shkollat janë të gatshme dhe janë bërë përgatitjet për fillimin e procesit mësimor. Të gjithë janë deklaruar njëzëri për rëndësinë e fillimit të mësimit të vitit të ri shkollor me datën 1 shtator. Natyrisht në këto rrethana nuk mund të rrimë pa e përmendur grevën tashmë të shpallur nga ana e BSPK-së. Ashtu siç besoj jeni në njohuri të gjithë, edhe pse kjo grevë është shpallur nga ana e BSPK-së dhe është deklaruar për gjithë shërbyesit dhe zyrtarët publikë, e njëjta nuk është duke u mbajtur në shumicën e institucioneve. Me aq sa ne kemi të dhëna, janë diku mbi 90 për qind e institucioneve të nivelit qendror, të agjencive, institucioneve në Administratën Publike, në shëndetësi, e në sektor të tjerë ku është duke u zhvilluar aktiviteti i punës njëjtë sikurse edhe në çdo institucion tjetër”, ka shtuar ajo.

Ajo shtoi se respektojnë organizimin sindikal dhe kërkesat për kushtet më të mira, por që kërkon që fëmijët të nisin nesër mësimin.

“Unë pres dhe kërkoj që të mos ketë grevë as në sektorin e arsimit, e sidomos në sektorin e arsimit, në çerdhe e në shkolla ku fëmijët e presin 1 shtatorin që të fillojë mësimi. Me përgjegjësinë më të lartë ju njoftoj se gjatë mandatit tim si ministre, janë përfshirë të gjitha kërkesat që kanë qenë për sigurinë dhe mirëqenien e stafit arsimor. Si ministri jemi përgjigjur në çdo kërkesë të SBAShK-ut për takime, sa herë që ata kanë kërkuar, anëtarë të SBAShK-ut janë takuar me mua, me zëvendësministrin apo me zyrtarë të tjerë në ministri dhe kemi diskutuar të gjitha kërkesat e tyre. Për më shumë, përfaqësuesit e SBAShK-ut janë pjesë e këshillave dhe grupeve punuese në ministri, duke qenë kështu deri më tani edhe pjesë e vendimmarrjes dhe politikave që kemi miratuar në ministri”, ka deklaruar ajo.

E pyetur për “kërcënimin” në paga për të gjitha ata që janë në grevë, Nagavci tha se nuk është presion. Sipas saj, komunat dhe punëdhënësit janë të obliguar të raportojnë për ata që marrin pjesë në grevë.

“Ftoj dhe lus të gjithë punëtorët e arsimit që vendimet t’i marrin me kujdes dhe pa asnjë presion nga askush. Ju lus të dashur mësimdhënës e punëtorë të tjerë të arsimit që të analizoni me vëmendjen të gjithë legjislacionin, të drejtat dhe pushimet e këtyre të drejtave, obligimeve gjatë kohës së punës ose të grevës. Jam e bindur se këtë mund ta bëni vet dhe të pa ndikuar. Si mësues ju e dini më së miri se të gjithë të tjerët, se sa është e rëndësishme të kuptuarit dhe interpretimi i drejtë e vendimmarrja e bazuar në argumente e fakte”, ka thënë ajo.

E pyetur se si do të veprojnë në rast se nesër do të vazhdohet greva në sektorin e arsimit, ajo tha se kjo është e drejtë e mësimdhënësve dhe se nuk mund të pretendon t’i bind.

Në bazë të informatave të ministrisë, Arbërie Nagavci deklaroi se janë rreth pesë shkolla në Prishtinë që nuk e kanë shpallur grevën.

Ajo u zotua se me Projektligjin për Pagat kanë tejkaluar edhe kërkesat e sindikatës dhe me këtë kanë bërë një pozicionim më të mirë për mësuesit. E pyetur se kur do të finalizohet ky ligj, ajo theksoi se i njëjti është në shqyrtim paraprak.

Exit mobile version