UBT News

Nagavci kërkon mbikëqyrje të shtuar të çmimeve

Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, i ka bërë thirrje Qeverisë që të nisë menjëherë mbikëqyrjen e shtuar të tregut për të parandaluar shtrenjtimet abuzive të produkteve bazë gjatë muajve në vijim.

Gjatë fjalës së saj në seancën e sotme plenare të Kuvendit të Kosovës, Nagavci bëri të ditur se puna për funksionalizimin e Ligjit për çmime tavan ka filluar dhe se institucionet duhet të jenë të gatshme të veprojnë me kohë ndaj çdo shkeljeje nga tregtarët.

“Ligji për çmime tavan është miratuar, puna për funksionalizimin e tij ka filluar. Mbikëqyrja e tregut tash duhet të forcohet menjëherë në mënyrë që institucionet të mund të veprojnë me kohë kur paraqiten shkelje ose kushte për masa të përkohshme. Me Ligjin kemi krijuar edhe mundësinë që në rast të destabilizimit të tregut, të ndërhyhet për mbrojtjen e qytetarëve nga shtrenjtimet abuzive të produkteve themelore nga buka, mielli, vaji, qumështi, vezët, mishi, pemët e perimet deri te ushqimet për fëmijë, produktet e higjienës personale dhe lëndët me burim nga druri për ngrohje”, ka deklaruar Nagavci.

Ajo theksoi se rritja e të ardhurave të qytetarëve duhet të mbrohet përmes kontrollit të marzhave tregtare nga importi deri te shitja me pakicë, si dhe duke hetuar dyshimet për marrëveshje të fshehta mes tregtarëve që dëmtojnë konkurrencën.

Duke folur për ndikimin e konflikteve globale në ekonominë e vendit, Nagavci vlerësoi se krizat ndërkombëtare po rëndojnë koston e jetesës, por shtoi se ato nuk guxojnë të keqpërdoren nga tregtarët.

“Krizat ndërkombëtare ndikojnë edhe në ekonominë tonë, madje shumë, por ato nuk mund të përdoren si arsyetim për çdo shtrenjtim. Duhet të dihet cilat çmime rriten për shkak të kostos së furnizimit dhe cilat çmime rriten në mënyrë abuzive. Shtrenjtimi i jetesës i prek të gjithë, por jo të gjitha familjet i rëndon njësoj”, përfundoi ajo. /E.A/

 

Exit mobile version