Myrto Uzuni ka zhvilluar një paraqitje fantastike me Austin FC në Leagues Cup, duke shënuar tre gola në fitoren bindëse 3:0 ndaj skuadrës meksikane Puebla.
Sulmuesi i Kombëtares së Shqipërisë ishte protagonisti kryesor i ndeshjes së zhvilluar në orët e para të së hënës, duke realizuar një “hat-trick” për t’i dhënë skuadrës amerikane një fitore të rëndësishme.
Uzuni e zhbllokoi ndeshjen me një goditje dënimi, ndërsa golin e dytë e realizoi pas një aksioni të rrjedhshëm të ekipit. Për të kompletuar paraqitjen e tij fantastike, shqiptari shënoi edhe golin e tretë me një volej spektakolar.
Pas ndeshjes, Uzuni u shpreh i lumtur për realizimin e parë të tre golave me fanellën e Austinit.
“Jam shumë i lumtur për ‘hat-trickun’ e parë me Austin. I falënderoj shumë tifozët”, deklaroi Uzuni.
Sulmuesi shqiptar vazhdoi festën edhe pas përfundimit të ndeshjes, duke iu bashkuar tifozëve dhe duke udhëhequr festën me daulle në tribunat e stadiumit.
Leagues Cup është një garë ku përballen klubet nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Meksikës.
D.L
