Në mbrëmjen e 10 tetorit, qyteti antik i Apolonisë u shndërrua në një skenë të artit dhe kulturës, duke mirëpritur edicionin e parë të festivalit “Muzak’ Fest.” Ky festival, i mbajtur mes monumenteve historike që flasin për shekuj të tërë histori, solli një përvojë të jashtëzakonshme që bashkoi harmoninë e muzikës dhe poezisë me frymën e lashtësisë.
Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, përmes një postimi në rrjetet sociale, ndau emocionet e kësaj mbrëmjeje të paharrueshme.
“Një mbrëmje që përqafoi historinë e Apolonisë dhe frymëzoi zemrat e të pranishmëve. Edicioni i parë i ‘Muzak’ Fest’ shënon fillimin e një tradite të re kulturore, dedikuar trashëgimisë sonë të përbashkët,” shkroi ai, duke vlerësuar ndërthurjen e artit me madhështinë e këtij qyteti antik.
Nën tingujt e muzikës dhe fjalët e poezisë, atmosfera magjepsëse e Apolonisë u rigjallërua, duke i dhënë festivalit një rëndësi të veçantë kulturore. Bashkia Fier gjithashtu ndau momente nga kjo natë magjike, duke e promovuar “Muzak’ Fest” si një destinacion të ri kulturor për të gjithë ata që dëshirojnë të zbulojnë bukuritë e Apolonisë dhe të përjetojnë atmosferën e saj të lashtë.
Ky edicion i parë pritet të shënojë nisjen e një tradite të qëndrueshme kulturore në Apoloni, duke e kthyer këtë qytet antik në një pikë takimi të artit, historisë dhe trashëgimisë kombëtare./UBTNews/