Muzeu “Vendi i Dëshmisë dhe i Kujtesës” në Shkodër po tërheq gjithnjë e më shumë vizitorë, si vendas ashtu edhe të huaj. Vizitorët shprehen se ndihen të prekur nga historia që paraqitet aty, pasi muzeu ruan kujtimet e një periudhe të errët të komunizmit në Shqipëri.

“Jam nga Gjermania, nga një qytet i vogël pranë Berlinit. Kjo është hera jonë e parë që vizitojmë Shqipërinë, ajo që më tërheq më shumë është historia e këtij vendi. Sigurisht, peizazhet dhe natyra janë të mrekullueshme, por muzeu më ka ndihmuar të kuptoj shumë nga e kaluara e Shqipërisë”, tha një vizitor.
Një tjetër vizitor shtoi: “Është jashtëzakonisht interesante të ndjekësh zhvillimin e ngjarjeve gjatë 2000 viteve të fundit, dhe veçanërisht ndryshimet e fundit 100-vjeçare. Është vërtet mbresëlënëse.”
“Vlerësoj shumë shpjegimet mbi historinë e vendit, dhe kemi respekt për rrugën që ka ndjekur Shqipëria sot. Është një vend i mrekullueshëm për t’u vizituar. Atmosfera autentike dhe dëshmitë e ish-të përndjekurve politikë e bëjnë muzeun një pikë të rëndësishme reflektimi dhe njohjeje me të kaluarën”, tha një vizitor tjetër gjatë vizitës së tij.
Në guidën turistike të Shkodrës, përveç Muzeut Historik, Kalasë “Rozafa” dhe Muzeut Kombëtar të Fotografisë “Marubi”, përfshihet edhe Muzeu i Dëshmisë dhe i Kujtesës.
I vendosur në ambientin e ish-degës së Punëve të Brendshme gjatë periudhës komuniste, muzeu është unik në Shqipëri. /A.Z/UBT News/