UBT News

Muzeu më i ri i arteve në Almaty hap dyert për publikun

Muzeu i Madh i Arteve në Almaty ka hapur dyert në kryeqytetin e Kazakistanit, duke shënuar një moment të rëndësishëm për jetën kulturore të rajonit.

I themeluar nga biznesmeni dhe filantropi Nurlan Smagulov, muzeu prezantohet si një qendër e re e rëndësishme për artin bashkëkohor, raporton Euronews.

Brenda tij ekspozohen mbi 700 vepra nga Kazakistani dhe vendet e Azisë Qendrore, të shoqëruara me punime të artistëve ndërkombëtarë.

Me një gamë të gjerë mediash e zhanresh, muzeu synon të kthehet në hapësirë dinamike për krijimtarinë e dialogun artistik.

Ndërtesa e muzeut, e vendosur pranë vargmaleve Tian Shan, është një vepër arti më vete.

E projektuar nga studioja britanike “Chapman Taylor” dhe e ndërtuar për tre vite, struktura prej 10.600 metrash katrorë përbëhet nga dy krahë të ndërthurur: një prej guri Jura dhe një tjetër prej alumini, simbolizim i peizazhit malor dhe mjedisit urban të Almatit.

Instalacionet e mëdha jashtë ndërtesës u japin vizitorëve një shije të përvojës që do t’i presë brenda.

Hapja e muzeut shoqërohet me dy ekspozita të rëndësishme.

E para, “Qonaqtar” (Të Ftuarit), fokusohet tek artistët e viteve 1960, duke paraqitur kulturën nomade, ritualet e përditshme, festat tradicionale dhe ndikimin e kufizimeve sovjetike mbi trashëgiminë artistike të rajonit.

Një nga veprat kryesore është fotografia “On Virgin Soil. Lunchtime” Salikhitdin Aytbayev, trajton fushatën sovjetike për kultivimin e stepës.

Ekspozita e dytë është retrospektiva e Almagul Menlibayeva “I understand everything” (Unë kuptoj gjithçka). Artistja multidisiplinare përzien mite euraziatike, imazhe shamane e realitete postsovjetike, duke i kushtuar vëmendje identitetit, kujtesës dhe rezistencës kulturore.

Muzeu ofron hapësira të dedikuara për artistë si Richard Serra, Anselm Kiefer, Yayoi Kusama dhe Bill Viola, duke krijuar dialog të natyrshëm mes skenës vendore dhe asaj globale. Instalacionet madhështore, ambientet imersive dhe përdorimi i materialeve të ndryshme u ofrojnë vizitorëve një përvojë të thellë, reflektuese dhe bashkëkohore.

Me hapjen e tij, Muzeu i Madh i Arteve synon të kthehet në qendër të gjallë arti dhe dialogu në zemër të Azisë Qendrore. /A.Z/UBT News/

Exit mobile version