Tash e disa ditë Muzeu Kombëtar i Kosovës nuk po mund të pranojë vizitorë, për shkak të ndërprerjes së energjisë elektrike. Si pasojë e një defekti në sistemin e rrymës pa ndriçim kanë mbetur dy salla ekspozuese në të cilat janë të vendosura shumë artefakte.
Drejtoresha e Muzeut Kombëtar të Kosovës, Vjollca Aliu thotë se pavarësisht përpjekjeve të personelit teknik të muzeut dhe ekipeve të tjera nga Ministria e Kulturës dhe asaj të Punëve të Brendshme, nuk është arritur të rregullohet problemi i rrymës. Ajo potencon se për shkak të ndërprerjes së energjisë elektrike, katër grupe të paralajmëruara për vizitë në muze, nuk kanë mundur t’i eksplorojnë sallat e ekspozitave.
“Fatkeqësisht po, kemi pasur katër grupe të paralajmëruara, dy prej tyre kanë ardhur dhe e kanë realizuar vizitën me shpjegime të cilat janë dhënë nga ciceronët në oborrin e Muzeut Kombëtar të Kosovës dhe tutje janë përcjellë në Kompleksin Etnologjik “Emin Gjiku”. Gjithsesi ka pasur edhe kërkesa tjera, dhe i kemi lajmëruar që në momentin që ky defekt të rregullohet, do t’i mirëpresim si herëve të tjera”, thekson Aliu.
Përveç këtyre, Aliu thotë se ka adresuar çështjen edhe në Ministrinë e Kulturës, e cila ka shtuar angazhimet e saj, porse defekti ende mbetet i pranishëm. Ajo potencon se sipas ekspertizës së bërë, pritet që gjatë javës së ardhshme problemi me ndriçim të rregullohet.
Gjatë vitit të kaluar, Muzeun Kombëtar të Kosovës e vizituan rreth 12 mijë vizitorë. Ndërkaq, sipas Ministrisë së Kulturës, projekti për renovimin dhe restaurimin e ndërtesës së muzeut ka kaluar edhe fazat e vlerësimit nga komisioni i Institutit të Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve dhe shumë shpejt do të nisë procedura për angazhimin e operatorit që do ta bëjë restaurimin e saj.