Muzeu “Eksodi ’99” do të hapet të mërkurën, më 10 qershor, në ora 19:30, në ambientet e Stacionit të Trenave në Prishtinë.
I themeluar nga “Reporting House”, muzeu vjen si një kujtesë e përhershme për përjetimet e qindra mijëra qytetarëve të Kosovës gjatë periudhës mars-qershor 1999, kur shqiptarët u dëbuan me forcë nga shtëpitë e tyre përgjatë linjës hekurudhore Prishtinë–Han i Elezit.
Ekspozita paraqet 48 rrëfime të personave që përjetuan eksodin e luftës, të treguara 27 vjet më vonë. Historitë janë të ndara në katër tema kryesore: dëbimi, jeta në kampet e refugjatëve, qëndrimi te familjet mikpritëse dhe kthimi në Kosovë pas luftës.
Sipas organizatorëve, muzeu synon të ruajë kujtesën kolektive të një prej periudhave më të dhimbshme në historinë e vendit. Gjatë pranverës së vitit 1999, mijëra familje u detyruan të largoheshin nga Kosova me trena të mbushur plot, ndërsa shumë prej tyre u privuan edhe nga dokumentet personale në kuadër të fushatës së dëbimit masiv.
Në ekspozitë përfshihen edhe rrëfime të personave që nuk u larguan nga vendi, që u fshehën gjatë luftës, iu bashkuan rezistencës së armatosur ose përjetuan ngjarje tragjike, si rasti i politikanit Fehmi Agani, i cili u nxor nga treni dhe më pas u vra.
Producentja e muzeut është gazetarja Jeta Xharra, drejtoreshë e BIRN Kosova, ndërsa ekspozita muzeore është kuruar nga Gazmend Ejupi.
Përmes këtyre dëshmive, Muzeu “Eksodi ’99” synon të kujtojë vuajtjet, mbijetesën dhe kthimin e qytetarëve të Kosovës, duke dokumentuar një kapitull të rëndësishëm të historisë së vendit që nuk duhet të harrohet. /A.K/
