UBT News

Muzeu Britanik përballë historisë: Britanikët mbështesin një ekspozitë për skllavërinë transatlantike!

Një sondazh i ri ka zbuluar se një shumicë e britanikëve mbështesin hapjen e një ekspozite të përhershme në Muzeun Britanik që do të fokusohet në rolin e Britanisë në tregtinë e skllevërve transatlantikë. Sipas sondazhit të realizuar nga YouGov, i porositur nga organizatat jofitimprurëse Good Law Project dhe World Reimagined, 53% e pjesëmarrësve mendonin se një ekspozitë permanente për tregtinë e skllevërve do të ishte e përshtatshme për Muzeun Britanik.

Pjesa më e madhe e të anketuarve gjithashtu shprehën mbështetje për rolin edukativ të muzeut. Rreth dy të tretat e tyre besojnë se Muzeu Britanik ka përgjegjësinë të edukojë publikun për rolin e Mbretërisë së Bashkuar në tregtinë e skllevërve dhe trashëgiminë e saj.

Përgjigjet e anketuarve gjithashtu treguan një mbështetje të madhe për iniciativat që synojnë të adresojnë trashëgiminë e skllavërisë, siç është The World Reimagined, një program arsimor artistik i njohur për skulpturat e tij të globit, të cilat janë ekspozuar në qytete të ndryshme të Mbretërisë së Bashkuar. Kjo mbështetje përfshin edhe sugjerimin se renovimi i Muzeut Britanik, i njohur si “Masterplan”, duhet të përfshijë një ekspozitë për tregtinë e skllevërve, duke e integruar këtë pjesë të historisë në përpjekjet për një transformim të plotë të muzeut.

Në një letër të hapur drejtuar drejtorit të Muzeut Britanik, Nicholas Cullinan, organizatat kërkuan që muzeu të pranojë rolin e Britanisë në tregtinë e skllevërve, duke ofruar një mundësi edukimi për publikun britanik që ka të drejtë të kuptojë historinë e vet. Letrën e hapur e nënshkruan edhe dy grupe të tjera, të cilët apeluan gjithashtu te Ministri i Kulturës, Lisa Nandy, për të vendosur prioritetet e duhura për muzeun dhe të sigurojnë që renovimi i tij të përfshijë një trajtim të sinqertë dhe të drejtë të këtij kapitulli të rëndësishëm të historisë së Britanisë.

Ky debat vjen pas njoftimit të këtij viti për memorialin “The Wake” të artistit Khaleb Brooks, një përpjekje tjetër për të nderuar viktimat e skllavërisë transatlantike. Memoriali do të vendoset në West India Quay, në Docklands të Londrës, dhe do të reflektojë mbi rolin që ka luajtur Londra në skllavërinë dhe si ajo ka formuar kryeqytetin britanik.

Kjo iniciativë dhe mbështetje e rritur për një ekspozitë të përhershme në Muzeun Britanik pasqyrojnë një ndryshim të dukshëm në mënyrën se si Britania po e pranon dhe përballon të kaluarën e saj koloniale dhe të skllavërisë./D.E./

Exit mobile version