Anëtari i kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, Besian Mustafa tha se qëndrimi i tyre nuk ka ndryshuar duke potencuar se nuk do të votojnë për asnjë kandidat të partive, me të cilat nuk kanë marrëveshje politike.
Mustafa tha se mbetet të shihet nëse Lëvizja Vetëvendosje do të mund të bëjë kompromis me partitë e tjera parlamentare për të proceduar më tutje në kuvendin e Kosovës.
“Qëndrimi i LDK-së është ai që ka qenë gjithnjë. LDK nuk voton ndonjë kandidat me të cilin, ose me partinë që nuk ka një marrëveshje politike paraprake…Do të shohim nëse Lëvizja Vetëvendosje është e gatshme që të gjejë një kompromis një rrugë të përbashkët me partitë tjera parlamentare për të proceduar kuvendin, për të votuar kryetarin dhe kryesinë e kuvendit”, tha Mustafa.
Deputeti Besian Mustafa tha se vetëm ata që kanë mbetur gjithmonë besnikë ndaj LDK-së kanë të drejtë të quhen LDK-istë apo rugovistë. Këtë e tha Mustafa pasi u pyet nga gazetarët lidhur me deklarimin e ministrit në detyrë të Bujqësisë, Faton Peci, ku ka kritikuar paritë opozitare për mos votimin e Donika Gërvalles për kryeparlamentare.
Gjykata Kushtetuese e publikoi aktvendimin për ngërçin politik, aktgjykim i cili përcakton një afat 30 ditor për konstituim të Kuvendit të Kosovës. Sipas po këtij aktgjykimi një kandidat apo kandidate nuk mund të votohet më shumë se tri herë.