Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, ka përkujtuar sot presidentin historik të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, me rastin e shënimit të 76-vjetorit të lindjes.
“Më 2 dhjetor 1944 në Cerrcë të Istogut lindi ikona dhe figura emblematike e Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova. Ibrahim Rugova ishte një personalitet i rrallë i letërsisë, politikës dhe kulturës shqiptare. I shkolluar në Paris të Francës, ai u mishërua me vlerat perëndimore, idealin për liri e pavarësi prej të cilave ai asnjëherë nuk hoqi dorë. Rugova është njeriu letrar dhe politik, një rast i rrallë në botë që me vizionin, dijen dhe përkushtimin e tij u rreshtua kah perëndimi duke fituar simpatinë dhe vëmendjen e botës demokratike për problemin, vuajtjen dhe persekutimin e popullit të Kosovës nën regjimin serb. Sot, është nder për secilin ta kujtojmë figurën e Rugovës, themeluesin e LDK-së, Presidentin Historik të Kosovës, Gandin e Ballkanit, që me dijen dhe urtësinë arriti ta fitoj simpatinë dhe miqësinë e përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, deklaroi ai mes tjerash.
Mustafa thotë se me emrin e Ibrahim Rugovës janë identifikuar të gjitha proceset historike të Kosovës, liria, demokracia dhe shtet-ndërtimi.
“Mjafton ta kujtojmë postulatin e tij: “Asgjë më pak se pavarësi”.Arkitektin e pavarësisë do ta kujtojmë përherë si motiv për ta vazhduar rrugën e trasuar nga ai, forcimin e demokracisë dhe shtetësisë së Kosovës.Lavdi jetës dhe veprës së Presidentit Historik, Dr. Ibrahim Rugova””, deklaroi ai më tej./UBTNews